Për Greqinë, Shqipëria vijon të jetë në zonën e kuqe COVID, edhe pse ka tregues që bëjnë diferencën në rang rajonal edhe europian, përfshirë dhe ritmet e vaksinimit
Gjashtë ditë më parë, shkruan GazetaSi, Komiteti Teknik i Ekspertëve në vendin tonë vendosi heqjen e karantinës dy javore për qytetarët që hyjnë në Shqipëri nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, por shteti fqinj ka marrë një tjetër vendim për Shqipërinë, duke mos e përfshirë në listën e vendeve të sigurta.
Kjo gazetë ka marrë një prononcim nga ambasada e Greqisë në Shqipëri, ku sipas autoriteve të shtetit fqinj, me shumë gjasë, Shqipëria do të jetë shpejt në listën e vendeve që mund të udhëtojnë lirisht drejt Greqisë.
“Është një program që po e hapim në disa faza. Mundësisht Shqipëria do të jetë shpejt pjesë e vendeve që do të udhëtojnë lirisht drejt Greqisë. Sipas opinionit tonë kjo do të ndodhë shpejt.
Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën pjesë në listën e vendeve të lira, për shkak të të dhënave epidemiologjike.
Është Komitetiti i Ekspertëve, që vendos se cilët vende mund të jenë në këtë listë nisur nga të dhënat, nga pikëpamja epidemiologjike”, ka thënë Alexandros Bouzis, zëdhënës në ambasadën greke, cituar nga Gazeta Si.
Sipas tij “në këtë fazë të parë në listë janë përfshirë vende europiane, plus vende si Izraeli, Austria, Zelanda e Re apo SHBA- vende me të dhëna të mira nga pikëpamja epidemiologjike.”
“Mbase Shqipëria do të jetë pjesë e listës në fazën tjetër, sepse duhet dhe pak më tepër përmirësim”, ka theksuar zyrtari grek. /sarandacity.al/