Disa vite më parë isha ftuar në New York dhe Washington DC, për të prezantuar në Explorer Club dhe National Geographic, projektin e kërkimeve nënujore në Shqipëri.
E meqënëse rruga më shpuri pranë këtyre qendrave të njohura botërore të eksplorimeve dhe kërkimeve historiko/gjeografike, u mundova të shikoja se çfarë mbanin arkivat e tyre për Shqipërinë e dikurshme.
Shumë pak. Megjithatë, ndër të tjera gjeta disa foto dhe shënime në arkivin e National Geographic për një shqiptar shumë pak të njohur tek ne, por që në kohën e tij ishte pritur në New York si një personalitet i rëndësishëm european. I kam ruajtur këto foto duke shpresuar se një ditë do të mund të shkruaj më gjatë për Nuredin Bej Vlorën, vlonjatin e shquar por pak të njohur, i cili, në udhëtimin e tij në Botën e Re, duhet të jetë i pari shqiptar i pritur deri më sot me kuriozitetin dhe zhurmën mediatike më të madhe në Amerikë. Askush nga politikanët tanë nuk ka mundur të tejkalojë kuriozitetin mediatik të Nuredin Bej Vlorës, i cilësuar në atë vizitë si Princi i Shqipërisë, titull ky shumë i çuditshëm për një personazh i cili nuk kishte asnjë status politik.
Ende pa zbritur nga kuverta e anijes, Nuredin Beu rrethohet nga të gjithë gazetarët dhe fotografët e mediave të New York-ut, duke u përshëndetur dhe fotografuar prej tyre. Nuk kam gjetur ndonjë intervistë të tij nga ky moment dhe është e paqartë arsyeja se përse vlonjati ynë ka pasur këtë pritje kaq të çuditshme.
Nuredin Beu sapo ishte martuar me një amerikane shumë të pasur, një lloj Kardashian e kohëve tona, dhe mundet që ky status të ketë tërhequr median amerikane.
Fakti që në këtë pritje të ketë qenë edhe fotografi i National Geographic, e bën më interesante këtë pikëpyetje.
Nuredin Beu jetoi në Amerike diku rreth 5 vjet. Nuk dihet asgjë mbi jetën e tij amerikane, por nga arkivi i Zyrës së Zbulimit ushtarak amerikan, pararendësja e FBI-së (dokumenta të papublikuara), më rezulton se ishte i survejuar si një njeri me influencë të theksuar austro-gjermane.
I vendosur në një vilë të rrethuar nga pyjet, pronë e së shoqes, ai bënte një jetë të tërhequr dhe të rrethuar nga njerëz të artit dhe kulturës, eskluzisht ky një rreth i krijuar nga bashkëshortja amerikane.
Nga Amerika, tenton të përfshihet në jetën politike shqiptare, ku si pjesë e një organizatë politike pa ndonjë veprimtari të njohur, vjen në Europë për të përfaqësuar Shqipërinë në bisedimet e Paqes. Ndoshta, ky ka qenëë momenti që e ka bërë që të rikthehej përsëri në Vlorë, ku zgjidhet si Kryetar i Bashkisë, apo siç quhej atëherë, Kryekatundar.
E drejtoi Vlorën brenda mundësive të kohës disa vjet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në hapjen e Shkollës Tregëtare, por edhe në disa projekte publike.
Ndër kujtime të kohës, Nuredin Beu përmendet si një person me reputacion shumë të madh në Vlorë dhe si personi i cili familja e njohur e Vlorajve e kishte si primat të sajin. Fakti që kishte luftuar e krye të vlonjatëve kundër zbarkimit të bandave greke në Himarë në 1913-4, por edhe kundër bandave të Haxhi Qamilit, i kishin dhënë atij një reputacion si njeri jo vetëm i fjalës.
Me ardhjen në pushtet të Zogut, duket se marrëdhëniet e tij me të ishin komplekse. Një aristokrat si Nuredin Beu mund ta ketë patur të vështirë pranimin në krye të vendit të një Oxhaku inferior si ai i Zogollit të Matit. Por matiani në krye të një pushteti të fortë, e hodhi në qeli menjëherë pas dështimit të Kryengritjes së Fierit, ku duket se roli i Nuredin Beut duhet të ketë qenë i rëndësishëm, aq sa Zogu ta denonte me vdekje. Vetëm ndërhyrja e ish-gruas së tij amerikane në Departamentin e Shtetit bëri që Zogu t’i falte jetën.
Nuredin Beu ishte një prej shtyllave të rëndësishme të Ballit Kombëtar, me një mbështetje të rëndësishme në Vlorë. I skicuar si Kryeminister i vendit nga gjermanët, ai refuzoi këtë detyrë të vështirë duke mbetur në prapavijë të ngjarjeve politike.
Në dimrin e 45-ës, së bashku me disa Vloraj të tjerë, si Ekrem beu dhe Xhelaledin Pasha, largohen nga Shqipëria.
Pas nj përfshirjeje disavjecare në ngjarjet politike të emigracionit, vendoset përfundimisht në Gjermani, ku bashkëjeton me një mikeshën e tij gjermane. Ndahet nga jeta në Heidelberg.
Auron Tare – /sarandacity.al/