Me anë të një statusi në FB, ish-kreu demokrat Basha shpall synimin e tij për t’u rikthyer sërish në partinë tashmë të “bërë copash”, duke premtuar se ai do jetë ndryshe.
“Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë.
Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, tekas shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë”, shkruan ai.
Në mesazhin e Bashës dallohet qartë mes rreshtash Berisha, ku pothuajse çdo fjali nënkupton pikërisht atë, në fakt njeriun që e futi në politikë, ndaj së cilit u rebelua një ditë.
Në njërën prej tyre, ai citon pikërisht të vetmin postulat politik të Berishës në 32 vjet.
“Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës!”, shprehet Basha ndër të tjera. /sarandacity.al/