Edhe Bashkia Sarandë i kushtoi Kosta Lakos, arkeologut të njohur sarandiot që humbi jetën në Athinë, një nekrologji përnderuese për atë që ishte.
“Përveç boshllëkut dhe hidhërimit për familjarët, Kosta Lako la pas një kontribut të shumëvlerësuar për arkeologjinë shqiptare e veçanërisht për rajonin e Sarandës.
Kosta Lako lindi në vitin 1949 në qytetin e Sarandës, ku ka edhe mjaft kontribute profesionale, intelektuale e qytetare. Ai ka drejtuar gërmime arkeologjike në
Butrint, si dhe në Sarandë, Delvinë, Finiq, Shënjan, Bajkaj etj. Për vite me radhë ka qenë
bashkepunëtor shkencor dhe pergjegjës i Bërthamës Arkeologjike të Sarandës.
Kontribut i veçantë shkencor i tij është studimi për qytetin antik të Onhezmit, me të cilin mbrojti disertacionin shkencor, si dhe studimin e sinagogës ebraike të Sarandës dhe Manastirit të 40 Shenjtorëve.
Ka marrë pjesë dhe ka drejtuar disa ekspedita me arkeologë shqiptarë e të huaj.
20 vitet e fundit punoi në Muzeun Arkeologjik të Akropolit në Athinë.
Emri dhe autoriteti i tij shkencor është bërë i njohur përmes shumë artikujve shkencorë, brenda e jashtë vendit.
Ai u nda nga jeta kur kishte ende shumë për t’i dhënë shkencës së arkeologjisë dhe vendlindjes së tij, Sarandës”, shkruan Bashkia, për kërë personalitet që u nda nga jeta dy ditë më parë. /sarandacity.al/