Në betejën mbi Butrintin, pas dhënies me konçension te Fondi Amerikan për ta menaxhuar Parkun më të rëndësishëm Arkeologjik të Shqipërisë, pretendohet të ketë dalë një fakt i ri kompromentues për qeverinë shqiptare, siç thuhet në një reagim të fundit nga Forumi për Trashëgiminë, në të cilin, zëri më potent për këtë çështjë është ai i ish-drejtorit të Butrintit Auron Tare, në kohën e drejtimit të së cilit, fundi i viteve ’90 dhe gjysma e parë e viteve ‘2000 – ky park nisi të promovohej e fitonte famë në botë, për t’u bërë vitet pasuese një prej atraksioneve kryesore të turizmit shqiptar në jug.
Më saktë, pretendohet se Ministria e Kulturës ka fshehur qëllimisht një raport, për të cilin UNESCO ka dërguar një letër sqaruese.
“Një letër e ardhur nga Drejtori i Pergjithshëm i Qendrës së Pasurisë Botërore të UNESCO-s mbi egzistencën e Dokumentit të Monitorimit të Parkut të Butrintit, ka hedhur një hije të fortë dyshimi mbi rolin e Ministrisë së Kulturës në këtë aferë.
Bëhet fjalë mbi Raportin e Monitorimit që UNESCO- ka kryer në Butrint në tetorin e kaluar dhe faktet e mbledhura janë prezantuar në Këshillin e Pasurive Botërore të UNESCO-s si dhe depozituar prans autoriteteve shqiptare.
Ekzistenca e këtij raporti është mohuar vazhdimisht nga Ministria e Kulturës në seancat e zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese ku që prej verës së kaluar po zhvillohet gjykimi mbi vendimin e qeverisë për dhënien me konçesion të Parkut të Butrintit. Ndërkohë, letra e kreut të Pasurive Botërore të UNESCO-s konfirmon që pala shtet jo vetëm ka marrë këtë raport, por ka kërkuar që ky raport të mos botohet në ëebsitin e UNESCO-s dhe të mos bëhet publik.
Forumi i Trashëgimisë Kulturore ngre pyetjet:
Përse Ministria e Kulturës ka mohuar ekzistencën e këtij raporti edhe pasi Gjykata Kushtetuese e ka kërkuar këtë raport zyrtarisht nga ky institucion?
Përse Ministria e Kulturës i ka kërkuar UNESCO-s që të mos bëhet publik ky raport?
A është ky një raport që hedh poshtë të gjithë procedurën e kryer nga Ministria e Kulturës mbi Parkun Kombëtar të Butrintit ku kjo Pasuri Botërore i jepet në administrim një fondi financiar të huaj në kundërshtim me konventën e UNESCO-s?”
– A kundërshton ky raport reduktimin e zonës së Mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit për t’i hapur rrugë ndërtimit në Gjirin e Armurës në Kanalin e Vivarit, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, një investimi strategjik me porosi të një prej oligarkëve më të mëdhej të vendit, i cili ka porositur edhe amendimin e Ligjit të Zonave të Mbrojtura?
– A ka pasur një marrëveshje midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan (AADF) për të marrë pjesën e zonës arkeologjike të njohur si A3 dhe reduktimit të zonës së Mbrojtur të Butrintit me qëllim hapjen e rrugës për ndërtime nga oligarkët pranë qeverisë?”, thuhet në reagimin e Forumit të Trashëgimisë. /sarandacity.al/