Deri më tani, debatet mbi ndërtimet e furrishme në Sarandë kanë qenë mbi atë se pse u ndërtua, ku në fakt duhet të jenë mbi atë se si u ndërtua, e kjo nga pikëpamja estetike.
Prej ndërtimeve të shumta në qytet, që nga Limjoni e deri në Çukë, ndërtimet estetikisht tërheqëse i has me gishtat e dorës. Më të shumtat, mbizotërueset, janë të zakonshme deri në shëmti.
Ky vrull ndërtimi ishte dhe vijon të jetë i pashmangshëm për Sarandën e jo vetëm. Është çështje sistemi ku jetojmë, çështje tregu – kërkesë/ofertë. Ajo që duhet të na trishtojë është keqndërtimi.
Mjafton të vërehet ajo ngrehinë në zemër të qytetit, së cilës sarandiotët i kanë vënë dhe shumë epitete pasi së paku u mbeti gjuha për ta qëlluar. Është tmerrërisht e shëmtuar! Si e tillë, shëmtoi dhe qytetin.
Është e lexueshme mungesa e një ndjesie dhe shijeje estetike e atyre që kanë firmosur vendime për ndërtime.
Në afro 20 vite trend ndërtimesh, asnjë administratë nuk ka mundur të diktojë risi në fushën e ndërtimeve, siç do qe ajo e diktimit linjave të veçanta estetike, në fasada, kolor, dritare apo ballkone.
Pra, në asnjë vendimmarrje urbane nuk ka lindur pikëpyetja hem zyrtare, hem profesionale e hem qytetare: kjo godinë do ia shtojë bukurinë qytetin apo do e shëmtojë?
Dhe ndaj kemi shumë ndërtime por pak, shumë pak estetikë arkitekturale.
Pos kësaj, ekzistojnë dhe ndërtime ku nga deti shohin jo ballkonet, siç është dhe duhet të jetë e natyrshme për Sarandën prej pozicionit gjeografik të shtrirjes, por dritaret e banjos.
Është e gjitha kjo një rezultante që buron në fakt nga një harmoni e mbrapshtë, asaj mes shijes private dhe asaj zyrtare. Ndërtuesi nuk është merakosur fort për anën estetike dhe këtë frymë e ka hasur dhe te vendimmarrja zyrtare. Ndaj produkti është ky që është.
Estetikisht, Saranda nuk ofron shije estetike jete. Madje është dhe vrastare deri diku nga kjo. /sarandacity.al/