Myftinia Delvinë njoftoi për shpërndarjen e pakove me ndihma për familje e individë në nevojë në kuadër të nisjes së muajit të Ramazanit.
I konsideruar si muaji i ripërtëritjes së besimit dhe ndenjës së solidaritetit në emër të Zotit, është tashmë një traditë që t’u vihet në ndihmë nevojtarëve nga çdo sferë e jetës.
“Në prag të muajit të Ramazanit, Myftinia Delvinë shpërndau pakot e iftarit, të organizuara nga Komuniteti Mysliman i Shqipërise dhe të sponsorizuara nga fondacioni i Mbretit Selman (Allahu i dhëntë jetë të gjatë!) me ndermjetësimin e ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë.
Ky organizim është fryt i bashkëpunimit midis Ambasadës së Arabisë Saudite dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Fondacioni i Mbretit Selman dhuroi 90 pako për qytetin e Delvinës për të pritur sa më mirë këtë muaj të begatë.
Me këtë rast, Myftinia Delvinë falënderon përzemërsisht Ambasadën e Arabisë Saudite dhe Fondacionin e Mbretit Selman për kontributin e dhënë për besimtarët delvinjot në nevojë”, shkruan ky institucion që përfaqëson besimin islam në Delvinë e zonat përreth.
Siç dihet, ky qytet ka qenë ndër më të dalluarit e ringritjes së jetës islame në vitet ‘90 e ‘2000, edhe në shkallë vendi.
Ndërkohë, vitet e fundit janë ndërtuar afro 6 xhami të reja. /sarandacity.al/