Myftiu i Delvinës, Bledar Ali, ka sjellë në kujtesë një vargëzim të tij dëshpërues mbi qytetin, njëherësh dhe apelues mes rreshtash, mbi të gjithë vendimmarrjet me pasoja në jetën sociale dhe ekonomike mbi Delvinën.
Me shumë art, ai ka përshkruar dëshpërimisht se ç’ka ndodhur me këtë qytet vitet e fundit, ku askush në fakt nga ata që kanë përgjegjësi vendimmarrëse nuk është në gjendje të japë një përgjigje se cila do jetë e ardhmja e Delvinës, e afërt apo e largët.
“Ç’të shkretuan moj Delvinë
Delvinë e bardha Delvinë
Zambak e ke historinë
Me hane dhe pazare që shndrrinë
Epiqendër, sanxhak dhe njerëz që venë e vijnë
Sokaqe me kalldrëme dhe rrugë që gumëzhijnë
Me bejlerë, agallarë dhe zengjinë
Me kryeministra e firmëtarë për pavaresinë,
E plot burra shteti që bëne historinë
Delvina që shquhej për zejet dhe mjeshtërinë,
Për kulturën, diturinë dhe qytetarinë.
Ndërsa sot, qarqe shoviniste dhe derdimenë
Njerëz të paskrupullt dhe servila që shesin mëmëdhenë
Delvinën po e copëtojnë duke e futur përjetë në karantinë
Fuqizojne bashki imagjinare, ndersa Delvinën po e çojnë në ç’mëndinë
Po ndryshojnë me dhunë realitetin dhe historinë
Ah, ç’të shkretuan moj Delvinë
Të hoqën hipotekën pa pyetur për hierarkinë
Të hoqën gjykatën, tatimet dhe të lanë mullinë
Të hoqën maternitetin, pediatrinë dhe maminë
Të hoqën sigurimet, arsimin dhe bujqësinë
Të hoqën ndërmarrjet, ushtrinë dhe policinë
Ah ç’të shkretuan moj Delvinë
Të ndryshuan sinoret dhe kufinë
Të hoqën Vrionin, Syrin e kaltër e deri në Muzinë
Dhe të lanë Senicën, Kakodhiqin dhe Palavlinë
Të shndërruan në “kokë prifti” që çillot e Finiqit të varin pardesynë
Ah ç’të shkretuan moj Delvinë!”
Edhe pse një vargëzim patetik, ai është dhe realist, me plot të vërteta mbi qytetin që shkon në krah të kundërt zhvillimor me Sarandën fqinje.
Dhe ndryshe nga Saranda, e cila e ka të zgjidhur të ardhmen mbi profilin e saj(se pse ekziston), të afërt e të largët, Delvinës i rri mbi kokë kjo pyetje ekzistenciale: Përse ekziston apo do ekzistojë? /tesheshi.com/