Në Fiks Fare është denoncuar rasti i një procesi në Prokurorinë e Sarandës, ku prokurori Ilir Hoxha ka bërë një marrëveshje me autorin e një aksidenti me pasojë dëmtimin e këmbëve të një të riu, ngjarje e ndodhur pak muaj më parë në Qafë Gjashtë, për ta liruar nga burgu.
Në momentin 29-vjeçari dëmtuar ndodhej në spital në Turqi, thuhet se prokurori bën një marrëveshje me autorin që “nëse pranon fajin, të liroj nga burgu”. Por, në dokumente prokurori nuk shkruan në asnjë radhë se 29-vjeçari është gjymtuar, madje nuk e merr në pyetje.
Ky i fundit, Arbjas Kreci, do dëshmonte: “Në tetor 2021 isha afër Qafë Gjashtës, jashtë rrugës dhe po ngarkoja disa kova bojë. Vjen një makinë Mercedez Benz, më godet dhe më merr zvarrë 14 metra. Erdhi policia, ambulanca. Erdhi dhe një i afërm që më lidhi këmbën. Falë tij jam gjallë se më ishin prerë damarët. Vete në Sarandë më japin mjekimin e shpejtë. Më pas në Tiranë.
Kisha shumë gjakderdhje. Pastaj kisha infeksion të theksuar. Në datën 21 tetor 2021 nisëm për në Turqi. Më thanë se njërën këmbë e kë të humbur dhe te tjetra shpresojmë që të sjellin në gjendje. Kam bërë shumë ndërhyrje te këmba. Operimet kanë qenë nga 14 orë e gjysmë. Po t’i mbledhësh të tera operimet janë 11 ose 12 vetëm në Turqi, veç sa kam bërë këtu”, thotë 29-vjeçari.
Më tej pohon se me barrelë iku për në Turqi dhe me barrelë erdhi në datën 31 dhjetor 2021. “S’jam i aftë të çohem. Me shërbejnë prindërit e mi. Jam me serume për këtë këmbë që kam të saktë. Se tjetra i ka mbyllur. Dhe se di ku është fundi i kësaj këmbe. Minimalisht kam edhe operacion tjetër plastik, përveç këmbës që është për protezë. Unë isha në operime, rrezikoja jetën, ndërkohë që ai merrte vëllanë tim në telefon ça do bëjmë me vëllanë tim (vëllai i autorit)”, pohon i riu, referuar autorit të aksidentit, Luan Muçodemi.
Më tej shpjegon edhe përballjen me drejtësinë shqiptare. “Qëkur kam ardhur në Shqipëri nuk e di ça është bërë, unë kam qenë me pjesën e mjekimeve. Po merrem me këmbën që ta sjell të paktën 70 përqind funksionale, se do kem një protezë në këmbën tjetër që është me të lëkundur. Dhe në datën 18 janar 2022, nga Prokuroria e Sarandës dërgohet një fletë, ku pala tjetër e kishte mbyllur dhe krejt papritur ndërkohë që unë nuk isha në dijeni të kësaj gjëje.
Prokurori ka mbajtur vetëm njërën palë, ajo që më solli në këtë gjendje, autorin Luan Muçodemi. Prokurori s’më ka marrë asnjë dëshmi” thotë ai, ndërsa tregon se ka parë në dokumentet e prokurorisë se autori ka qenë i dehur në 98 përqind. “Ka deklaruar prokurori se unë kam pasur dëmtim të rëndë, mish të hapur, vena të dëmtuara.
Po s’ka deklaruar që unë kam humbur njërën këmbë. Ai ka ecur me mjekimin e Sarandës, por se ç’a është bërë në Turqi s’e ka idenë. Unë kam humbur njërën këmbë, tjetrën e kam gjysmë sakate, s’do të dijë njeri”, thotë Arbjas Kreci.
Në kohën kur ky i fundit erdhi nga Turqia, prokurori i Sarandës, Ilir Hoxha, në datën 18 janar 2022 bëri një marrëveshje me autorin e aksidentit. Sipas një dokumenti, prokurori ka cituar një akt ekspertimi mjek ligjor të datës 5 nëntor 2021, ku nuk shkruhet se Arbjasi është gjymtuar. Më tej shkruan se shkak i aksidentit është shkelja e rregullave të qarkullimit, shpejtësia e lartë dhe drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Por, më tej shkruan se “në rastin e dhënies së masës së ulët të dënimit me burgim, vlerësohet se programet e trajtimit të të dënuarve me burgim nuk janë efikase, dhe në këtë mënyrë do të gjendemi para një impakti negativ të burgimit”. Prokurori Hoxha ka shpjeguar në dhjetëra faqe se rrezikshmëria e autorit është e pakët, ndërsa në fund ka bërë një marrëveshje që “nëse pranon fajin”, të lirohet menjëherë nga burgu.
Dhe, këtë marrëveshje për lirim nga burgu e ka dërguar në gjykatë, teksa në asnjë rresht të këtij vendimi nuk është dëshmia e viktimës.
“Personi të jetë i lirë dhe unë sakat, s’më duket normale dhe nga ana e prokurorisë kjo gjë”, pohon Arbjasi, teksa thotë se prokurori quhet Ilir Hoxha, i cili nuk e ka thirrur të dëmtuarin, madje as familjarët e tij. “Nuk e njoh fare, as prindërit e mi se njohin. Çdo gjë që ka bërë e ka bërë vetë, pa dijeninë tonë”, thotë i aksidentuari.
Pas denoncimit, familjarët e Arbjasit takojnë prokurorin Ilir Hoxha, në ambientet e Prokurorisë së Sarandës. Prokurori nuk i njeh, ndërsa u thotë se “unë jam prokurori i çështjes”. Babai i Arbjasit i tregon prokurorit se djalin e ka me një këmbë të prerë. Prokurori i thotë se në dosje është vetëm kartela në spitalet e Shqipërisë. Por, u tregon se akuza ndaj të arrestuarit është plagosje e rëndë. “Edhe sikur të dyja këmbët të humbasë, edhe gjymtyrët e sipërm, sërish plagosje e rëndë quhet”, justifikohet prokurori.
Familjarët e pyetën se përse nuk është marrë në pyetje Arbjasi, ndërsa prokurori i përgjigjet se “nuk e kemi vlerësuar dëshminë e Arbjasit”. Ai shton se “nëse do kishte vdekur, do e kishte dokumentuar nga se i kishte ardhur vdekja”. Prokurori u thotë familjarëve që të flasë për gjëra reale, ndërkohë familjarët i përgjigjen se “po këmba që humbi Arbjasi, nuk është reale?!”.
Familjarët e pyesin edhe përse do ta lirojë dhe ta konsiderojë jo të rrezikshëm, kur ishte totalisht i dehur dhe shkaktoi ato pasoja. Prokurori u përgjigjet se “unë e vlerësoj se rrezikshmëria e tij është e pakët”. Në fund, familjarët i thonë se me këto veprime në mbështetje të autorit mbetet vetëm që shkaktari i aksidentit të shpallet qytetar nderi. Prokurori i përgjigjet se “atë e vendos bashkia”.
Prokurori Ilir Hoxha shkruan se marrëveshja me autorin parashikohet nga Kodi i Procedurës Penal. Por, në një dispozitë tjetër të këtij Kodi, shkruhet se “viktima e veprës penale ka të drejtë të kërkojë ndjekjen penale të fajtorit”. Madje, të kërkojë në çdo kohë informacion, të kërkojë marrjen e provave apo kryerjen e ekspertimeve.
Por, prokurori Hoxha jo vetëm që nuk ka zbatuar asnjë nga këto pika, por nuk e ka marrë asnjëherë në pyetje viktimën dhe familjarët e tij.
Ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale e bëjnë viktimën me të njëjtin rol si prokurori. Madje, mund të mbledhë fakte, të kërkojë akte ekspertimi të tjera. Por, asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk është marrë parasysh.
Madje, prokurori nuk u jep as dosjen. “Kërkesën e keni bërë për drejtuesin dhe tani ai nuk është më, pasi është caktuar drejtues i ri”, justifikohet prokurori Hoxha. Familjarët shkojnë te sekretaria e Prokurorisë së Sarandës, ku kryesekretarja u thotë se “akoma s’ka ardhur drejtuesi”. Ajo pranon se ata kanë shkuar me dhjetëra herë, por nuk kanë mundur dot që ta marrin.
“Kur kam parë çështjen më ka ardhur si bombë pasi kjo është një vrasje e dytë. Ja lashë në dorë drejtësisë, por shikoj që këtu drejtësia s’ka marrë gjë nga ana ime. Jam një djalë 29 vjeç për 30 vjeç dhe nuk e di ça bëhet në këtë mes. Unë dua të më zbardhjet çështja, e drejta ime. Të venë gjërat atje ku janë, siç janë dhe jo të anashkalohen”, përfundon Arbjas Kreci. /TCH/