Është një aspekt i jetës së Sarandës që pothuajse nuk trajtohet aspak, si në të zakonshmen e si në raste fushatash, ku palët politike që tentojnë vendimmarrjen, shpalosës programesh a vizionesh, ofertohen te votuesi; ajo se ç’është aktualisht e se ç’duhet të ishte Saranda, por jo domosdoshmërisht në aspekt turistik, pra jo e diktuar nga deti. Sepse drama sociale e Sarandës fillon pikërisht nëse i heq asaj detin.
Bëhet fjalë për “jetën e vdekur” të saj. Vatra kryesore e relaksimit në Sarandë është shëtitorja. Më tej nuk ka asgjë. Qyteti është thjesht një fjetinë, për më tepër jo aq simpatike.
Për këtë, mjaft të bësh krahasimin me Janinën e afërt. Çfarë ka Janina? Shkurtimisht: ka dy kinema e dy teatro, ka disa qendra sportive dhe shumë parqe lodrash për fëmijë, gati për çdo lagje. Ka dhe fusha tenisi madje, ku të tilla gjenden dhe në Igumenicën më të afërt. Po ashtu dhe kjo e fundit ka kinema dhe teatro. Duke iu kthyer Janinës, ka dhe tre qendra tregtare.
Pra, të marrësh Sarandën dhe Gjirokastrën bashkë, nuk kanë ato që posedon Janina.
Dhe kjo duhet të qe një ndër çështjet më të trajtuara në pikëtakimet e publikut me politikën vendimmarrëse, siç ndodh zakonisht në kohë fushatash.
Duke u ndalur te Saranda, veç kontekstit të saj turistik diktuar nga deti, pjesa tjetër, ajo kur është fjala për cilësinë e jetës, është në kufijtë e mjerimit. Pa kinema, pa teatër, pa qendra sportive, pra pa vatra relaksimi masiv apo individual, ajo ngjan me një provincë të rëndomtë. Zgjidhja e vetme mbetet shëtitorja, që dhe ajo, veç shëtitjes nuk ofron asgjë veç lokaleve tek-tuk, thënë kjo në kohë jashtë sezoni.
Nëse për Sarandën synohet një qytet preferencial në çdo kohë, apo siç thuhet për turizëm gjithëvjetor, duhet t’i afrohet Janinës së paku në 20 përqind të asaj çfarë ofron ky qytet i fqinjit tonë.
Është një fjalë goje të thuash se Saranda mund apo duhet të ketë turizëm gjithëvjetor, apo se është kështu e ashtu, duke përdorur fjalë apo fjali shtampë, por mjafton një krahasim me fqinjët për të dalluar diferencën brengosëse në realitet. Dhe deri tani nuk ka asnjë shenjë që këto diferenca mund të minimizohen.
Saranda, ose një qytet, nuk është thjesht një shëtitore!