Sot është Dita e Verës, me kryeqytet Elbasanin dhe me haje simbol ballokumet.
Kështu ka qenë gjithnjë, edhe në komunizëm. Ishte ndër ato festa që regjimi e toleronte, duke lënë hapësirë që të festohej ndonëse jo si sot, pak më kufizueshëm dhe përgjithësisht e përqendruar te fëmijët.
“Tiritere, tiritere, sot është ditë vere…”, këndohej prej tyre, zakonisht anës ca zjarreve të ndezura natën, në vende të caktuara në distancë, si rivalitet se kush e kishte flakën më të madhe. Realizohej kjo me goma makinash të dala jashtë përdorimit, duke ndezur pikërisht ato.
Rreth tyre, fëmijët përveçse këndonin e kërcenin, hanin dhe ballokume apo kuleçë, si dhe vezë të zjerra të ngjyera me të kuqe, me të cilat bënin dhe gara duke i tokur se cila do rezistonte pa u thyer.
Kjo ishte Ditë Vera nën regjimin komunist. Si një festë pagane, pa Zot, ai regjim e toleronte gjersa prej tij nuk buronte as mendim e as vetëdijësim me bazë hyjnore që do mund ta rivalizonte apo ta bënte të urryer.
Kujtojmë se pas ’90, Dita e Verës do merrte peshë politike gjatë kohës së qeverisjes së Nanos.
Aty nga vitet 2001-2005, e majta në pushtet nisi t’i japë rëndësi si përjetim shoqëror, derisa e zhvendosi në Tiranë e më pas e shpalli si ditë pushimi. /sarandacity.al/