Një pjesë e PD-së, ajo që udhëhiqet nga Alibeaj si kryetar në detyrë pas dorëheqjes së Bashës, u mblodh në një ceremoni për të përkujtuar 32-vjetorin e themelimit të kësaj force.
Në fjalën e tij, ai vuri “gishtin në plagën” me emrin Berisha.
“Çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së, duke e kthyer atë nga një institucion i Perëndimit në një repart sulmesh kundër Perëndimit, është një moment që duhet ta kthejmë.
Duhet të bëjmë sakrificën sublime secili prej nesh. Askush nuk duhet të ndihet i joshur për të bërë negociata me këto vlera. Mendësia komuniste(Berisha) duhet të ishte larguar”, tha Alibeaj, i cili nuk ngurron ta godasë Berishën pikërisht në të kaluarën e tij si komunist prej çerek shekulli nën regjimin e Hoxhës.
Ndërkohë, Basha ishte krejt pa thelb në mesazhin e tij, i gjithi patetik, pa patur aspak guximin e Alibeajt, edhe pse të dy janë në të njëjtën linjë në PD, anti Berishës.
“Partia Demokratike ka lindur e re dhe do të mbetet e re, ka lindur europiane dhe do të mbetet europiane, ka lindur kombëtare dhe do të mbetet kombëtare, ka lindur mes sakrificash, e mbi sakrificat do të ngrihet më e fortë, ka lindur si shpresë e shqiptarëve për ndryshim dhe do të jetë sërish shpresa e tyre, ka lindur e madhe dhe do të bëhet edhe më e madhe, për Shqipërinë, për demokracinë”, shkruan ndër të tjera Basha. /sarandacity.al/