Policia e Shtetit doli me një deklaratë pasi finalizoi një megaoperacion kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndës narkotike. Muhamet Rrumbullaku, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë një deklarate për mediet, dha detaje mbi megaoperacionin me 1541 të proceduar dhe 23 grupe kriminale të goditura.
“Megaoperacioni i koduar ‘Tempulli’ në fokus kishte goditjen e fenomenit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, bareve, restoranteve apo blloqeve të banimit.
Krahas sasive të mëdha të drogave të forta apo të kanabisit, gjatë operacioneve janë sekuestruar mijëra doza kokaine, heroine, ekstazi, metadon, opium, fara kanabisi dhe sasi të lëndëve të tjera narkotike sintetike”, vijoi Rrumbullaku.
Sipas kreut të Policisë së Shtetit, gjatë megaoperacionit u arrestuan 233 persona dhe u shkatërruan 23 grupe kriminale.
“Gjatë këtij megaoperacioni u identifikuan qindra shtetas që përmes veprimtarisë së tyre tentojnë të infektojnë tempujt e dijes në të gjithë vendin”, tha ai, duke iu referuar shkollave, e shtuar: “Prandaj megaoperacioni është një goditje e fortë ndaj këtij fenomeni”.
“Nga ky megaoperacion i zhvilluar në shkallë kombëtare, bazuar në numrin e shtetasve të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, është bërë e mundur goditja dhe shkatërrimi i 23 grupeve kriminale që vepronin qytetet Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”, tha kryepolici shqiptar.
Krah tij, ministri Balla pati një paralajmërim dhe një përbetim, por ama duke vënë fillimisht “gishtin në plagë”:
“Përdorimi i substancave narkotike ka marrë përmasa të panjohura më parë. Po ulet mosha e atyre që përdorin për herë të parë lëndë narkotike duke filluar nëpër shkolla veçanërisht në shkolla të mesme. Është shtuar edhe përdorimi i drogave sintetike që paraqesin rrezikshmëri të lartë. Janë zbuluar llojë droge që për ne ishin të panjohura më parë për ekzistencën e tyre në Shqipëri. Këto të dhëna janë një kambanë alarmi por institucionet duhet të bëjnë reagim të gjithë së bashku. S’do lejojmë zona të lira për spacatorët e drogës”, tha Balla.
“Ky është vetëm fillimi!”, tha ai. /sarandacity.al/