Në një prej takimeve të kandidates socialiste Anila Denaj në nisje të fushatës, qe dhe ai me përfaqësues të mediave. Aty, një ndër më shumë problemet e ngritura qe ai që Saranda ende s’ka ujë të pijshëm 24 orë, gjë që duhet ta kishte zgjidhur me kohë për vetë statusin e një kryeqytetit turistik me përmasë edhe ndërkombëtare.
Por që kur është folur për këtë. Që në 2003, kohë kur gjithsesi nuk ishte fluksi i sotëm, pasi nuk ishte turizmi i sotëm në nivele gati marramendëse.
Ja ç’shkruan kolegu Thoma Nika :
“Nëntori i vitit 2003 e bëri Sarandën me ujësjellës të ri. Duke qenë një nga qytetet përfitues prej programit PHARE, për përmirësimin e furnizimit me ujë, u hodhën 4.2 milionë euro në funksion të ndryshimit. Merret vesh se c’turizëm mund të bëjë një qytet që i mungon uji. Dhjetë vjet të tëra Saranda priste e përcillte pushues, edhe duke e pasur ujin “me pikatore”. Projekti pilot i Bankës Botërore u mendua se do t’i jepte fund situatës së thatësirës, nën sipërmarrjen e firmës austriake “SBL Linza”. Por projekti mbaroi e kusuret nuk kanë të mbaruar. “Investim që ka pakësuar ujin”, do ta quante Kryetari i Bashkisë Edmond Gjoka ujësjellësin e ri.
Me investimin 18 muajsh, të nisur në shtatorin e vitit 2001, u duk sikur qyteti ku pretendohej për zhvillime të turizmit elitar në jug të vendit, gjendej pranë ëndrrës për të pasur 24 orë ujë në 24 orë. Këtë do ta bënte publike edhe në një mënyrë solemne ish-kryebashkiaku Shehu në një mbledhje të hapur për publikun e gjerë. Qyetarët besuan se, duke e marrë në dorë të huajt, u ishte dhënë fund dy të këqiave të mëdha të Sarandës turistike: blerjes së ujit nga autobotat privatë edhe në dimër, si dhe derdhjes së ujërave të zeza në Gjirin e Sarandës. Por afatet, ashtu si premtimet, mbaruan e qytetit nuk i është ndarë mungesa e ujit, sikundër edhe tablot e derdhjes së ujërave të zeza në det, janë përsëri prezente. Deri sa pa mbaruar punimet, u tha se firma austriake “Linza service” ndodhej në përfundim të afatit kohor prej 18 muajsh të projektit të cilësuar më i madhi i këtij 10-vjecari për t’i siguruar ujë “non stop” Sarandës. Në drejtorinë e ujësjellësit filluan të fantazojnë daljen jashtë pune të 6 stacioneve të vjetër të pompimit, që bënin ngritje mekanike të ujit në qytet, “clirimin” e tarracave të pallateve nga 3-4 mijë depozitat e ujit dhe heshtjen përgjithmonë të 1800 pompave individuale apo kolektive, të montuara sidomos pas 1997-ës, kur rrjeti shpërndarës i ujit pësoi të tjera dëmtime të konsiderueshme.
-Ky projekt-na tha atëherë drejtori i ujësjellësit Fredi Deraj-është një zgjidhje përfundimtare e furnizimit të Sarandës me ujë. Sipas tij, fundi i prillit të 2003-shit do të ishte fundi i Sarandës problematike në furnizimin me ujë të pijshëm
Mbështetja e furnizimit nga dy depo me kapacitet 2000 dhe 1000 m3 ujë e të pavarura nga njera-tjetra dhe shtrimi i tubacionit metalik me diametër fi 300, na u dhanë atëherë si elementë sigurie që bënin të besueshëm atë që do të ndodhte në fund të prillit me Sarandën-uji nuk do t’i mungonte 24 orë rresht.
Investimi i quajtur serioz u “shit” i efektshëm edhe për përballimin pa problem të pikut të sezonit turistik, kur qyteti arrin të trefishojë vetveten. Ndërkohë që edhe verën e kaluar meraku për ujin e pijshëm dhe vuajtjet për ta siguruar atë nuk iu hoqën qytetarëve. Ashtu sikundër ditët e krizave nuk u janë ndarë edhe në palcën e këtij dimri”.
Dhe, pasi lexon këtë shkrim, duket se koha ka ndalur. Sot është e njëjta sfidë për qytetin.
Ndërkohë, edhe atëherë e edhe sot, zgjidhja e çështjes së ujit shihet dhe si zgjidhja e një problematike estetike për qytetin, pasi zhuk nga tarracat depozitat çibaneske të ujit.
E ku do kishte më bukur! /sarandacity.al/