Duhet të jetë diçka e pangjashme, me asnjë rast të dytë, ajo që ndodhi dje, apo vijon të ndodhë, me komentet poshtë një shkrim të sarandacity, i cili raportonte faktin se KLP kishte vendosur që Lorenc Mërkuri të vijonte sërish në krye të Prokurorisë së Sarandës.
Komentet ishin absolutisht në të njëjtën gjatësi vale: konsiderata dhe urime për personin në fjalë.
Duke marrë parasysh profilin e tij, një prokuror, pra një pozicion tejet delikat, kohën e vështirë që jetojmë në gjykime dhe paragjykime, faktin se bëhet fjalë për një njeri nga drejtësia, e etiketuar si mallkim për këtë vend, ato çfarë shkruheshin për Lorenc Mërkurin të bënin të fërkoje sytë. Sepse, sado person kualitativ të jetë në realitet, shprishja njerëzore sot, e shpërfaqur dhe e avancuar edhe nga rrjetet sociale, vështirë dhe gati e pamundur që të çojë në një mendim apo qëndrim unik të disave kundrejt një personi. Aq më tepër kur ky njeri është prokuror, pra merr vendime që, sado të drejta të jenë juridikisht, patjetër lënë të pakënaqur dikë, duke çuar më pas dhe në aludime apo paragjykime ndaj moralit të tij.
Pra, është një moment ku dhe sociologjia e psikologjia si shkenca gjenden të papërgatitura të japin një shpjegim racional e shterrues për rastin në fjalë.
Por ajo që vlen të theksohet është lloji i pasurisë që gëzon personi i vlerësuar në këtë rast. Duke rendur drejt një pasurie që fitohet djallëzisht, ajo më pas shprish gjithçka me efekt zinxhir: dinjitetin, reputacionin, personalitetin, për të goditur më pas dhe ata për të cilën është abuzuar djallëzisht dhe padyshim paradoksalisht, fëmijët. Jo vetëm që djalli që është futur në barkun e këtyre të fundit në formën e të ushqyerit me atë që është e vjedhur, nga personi apo shteti njësoj është, me drogë a ryshfet po njësoj është, do ngrejë krye një ditë për të djallosur dhe atë vetë në jetë, por mjaft që fëmija rritet duke dëgjuar të flitet keq për prindërin, se sa e tmerrshme është.
Por po ndodh, pabesueshmërisht, që dhe kjo ndjeshmëri e sensitet prindëror po shuhet te ata që vendosin të bëjnë pasuri me punë të liga, ose dhe thjesht, marrin vendime nga pozicione vendimmarrëse duke u bërë njerëzve padrejtësi.
Ndaj, të gjithë ata që sot kanë pozicione vendimmarrëse, në drejtësi apo sektorë qeverisës, nga goja apo firma e të cilëve varen fate njerëzore, duhet ta kenë si referim atë çfarë thuhet për Lorenc Mërkurin. Sepse, me post apo pa post, ky i fundit është i qetë kur del në rrugë; fëmijët, prindërit, familja, të afërmit, nuk vuajnë nga gojët e miletit për të; sepse ai vetë nuk është i detyruar të bëjë hipokritin kur flet e qesh me njerëz, apo kur u shet moral, ndërkohë që me dhjetra njerëz vuajnë nga padrejtësitë apo shprishja e tij morale.
Kjo është pasuria më e madhe e njeriut, kjo është ajo pasuri e cila, për hir të së vërtetës, u mungon shumë vendimmarrësve lokalë, apo atyre që u është besuar një përgjegjësi për Sarandën a më gjerë.
Kanë vendosur të bëjnë lekë, duke nxjerrë në shitje si plaçkë nderin, cipën, deri të drejtën e familjes (prindërve apo fëmijëve) për të dëgjuar fjalë të mira për të, pa e kuptuar se ky lek është një iluzion, nuk ekziston realisht, e në finale do bëhet varri i tij moral, duke mos gjetur a patur paqe sa të ketë frymën. Sado lek të ketë! /sarandacity.al/