Vendimi i parë i dalë nga Hipoteka e Sarandës ka qenë një shenjë se drejtoresha e re e këtij institucioni delikat, Aida Demi, kërkon të lërë një gjurmë, në emrin e vet personal apo të pushtetit që e ka emëruar aty. Edhe ajo edhe pushteti, e kanë të nevojshme ta shtojnë dozën e cilësisë së shërbimeve në këtë mandat të tretë, sidomos në sektorë ku gatuhet më së shumti mllefi i njerëzve karshi atyre që qeverisin. Hipotekat është njëra prej tyre.
Por ndër të pashpjegueshmet e qeverisjes “Rama”, veç atyre drejtimeve me impakt të fortë në jetën e përditshme, ku nuk përputhet realiteti me ligjërimin apo vizionin e tij personal, është dhe kualiteti i ulët gjuhësor i shqipshkruajtjes zyrtare.
Ndër njohësit e shkruesit më të mirë të shqipes ndër pena publicistike, para se të ishte personazh politik, Rama tentoi të diktonte një standart mirëshkruajtjeje zyrtare kur ushtronte detyrën e Kryebashkiakut të Tiranës. Ai u vendoste gjoba “intelektuale” vartësve nëse hasej në shqipen e tyre moskorrektesë gjuhësore.
Më vonë, kur morri drejtimin e qeverisjes, shpalli të paturit e një redaktori gjuhësor në institucione, me qëllim që shkresat e shtetit të shpalosnin seriozitetin e shtetit edhe gjuhësisht.
Por dhe ky ideal qeverisës duket se nuk po mundësohet si realitet.
Në lajmërimin më të fundit publik të Hipotekës Sarandë, vihet re ashiqare një moskompetencë gjuhësore e dorës që e ka shkruar, duke ia cenuar seriozitetin si asaj çfarë kumtohet në tekst e si institucionit që e kumton.
Sepse nuk është fjala për lum tekstesh të përditshme, nga ato rutinoret të burokracisë zyrtare, që jo domosdo mund të shkëlqejnë gjuhësisht. Është fjala për një lajmërim publik, njëherë në kaq, që, meqë është publik dhe në komunikim me publikun, duhet të shkëlqejë me patjetër në ato 5 rreshta. /sarandacity.al/