Po nuk u bëre servis, edhe kompiuterat “plaken”. Këtë ka provuar leximi i gabuar që u është bërë të dhënave në 5 raste nga sistemi kompjuterik i ndihmës sociale në rajonin e Vlorës.
Ky shqetësim erdhi në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, pasi jo pak, por 5 familje, ishin skualifikuar. Ishte vetë nënkryetarja e Këshillit, zonja Dafina Allkushi, që shtroi pyetjen në tri pamje: Kush i skualifikoi? Për sa kohë mbeten të skuaklifikuar? Kush do t’i dëmshpërbelejë këto 5 familje për kohën e skualifikimit të gabuar?
Anila Pikuli, Drejtorja e Drejtorisë së Politikave Sociale dhe Ndihmës Ekonomike në Bashki, shpjegoi se kjo ka ndodhur nga një çekim që është bërë nga sistemi, pa ndërhyrjen e administratorit shoqëror. Shpjegimi që kjo drejtori ka marrë për rastet, nga drejtoria Rajonale në Vlorë, ka qenë: “sistemi ka probleme, për mungesë të shërbimit”.
E kjo është dhënë si arsye që janë bërë çekime të gabuara. “Ka të dhëna në lidhje me gjendjen sociale e shëndetësore, që jepen ose lexohen gabim në sistem dhe kjo sjell probleme”, u shpreh zonja Pikuli.
Ajo që qetëson në këto raste, është e vërteta se familjet sarandiote, nuk kanë përjetuar pasojat e këtij gabimi, njerëzor apo kompiuterik. “Kamardare shpëtimi” është bërë edhe për atë muaj të skualifikimit nga sistemi, trajtimi i tyre alternativ nga të ardhurat e Bashkisë. “Shyqyr që e kemi këtë mundësi!”, tha lumturisht zonja Pikuli, duke shtuar se riaplikimi i tyre ka bërë që për muajin maj, ato 5 familje të rifuten në sistem dhe të përfitojnë trajtim të rregullt. /sarandacity.al/