Do ishte më i përligjur reagimi i egër opozitar në parlament sikur opozita e sotme të kishte themeluar apo instaluar një standart sjelljeje dje kur ishte në pushtet, përballë kundërshtarëve politikë. Por jo, aspak. Ndryshe do e kish thënë, siç do kish thënë shumë gjëra të tjera të mira për të djeshmen e saj në qëndrimet akuzatore ndaj pushtetit të sotëm.
PD nuk ka standarte në CV-në e saj, pasi nuk e ka për natyrë politike krijimin e standarteve. Akuza dhe vetëm akuza është natyrë dhe identitet i saj. Kjo nuk e zhbën faktin se në lidhje me kërkesën këmbëngulëse për komision hetimor për çështjen “McGonigal” nuk ka të drejtë. Sipas një interpretimi të thjeshtë kushtetues, ka të drejtë.
Mirëpo edhe PS kërkonte hapje kutish në emër të Kushtetutës në 2009-ën dhe po në emër të Kushtetutës qeveria e atëhershme Berisha ia refuzonte.
Ndaj dhe ahere kishte reagime opozitare me bilbila, gjithsesi pa shkulje mikrofonash. Që do të thotë pra se dhe PD, në kushte pushteti, është sjellë harbutshe. Diferencën e bën tjetërçka. Në fund, PS i besoi forcës së votës, edhe nën psikozën se Saliu t’i vjedh votat ashiqare.
PD e Berishës nuk është në këtë rrugë dhe dihet se pse. Ajo ka të qartë shumëçka, edhe faktin se agjenti i FBI-së nuk ka asnjë lidhje me “non grata”-n amerikane ndaj Berishës, apo se është paguar nga Rama për të zhbërë opozitën në Shqipëri, por ka zgjedhur e zgjedh rrugën e sajimit të realiteteve virtuale nga dobësia dhe pafuqia për t’u përballur me të vërtetat.
PD kurrë s’do ringrihet gjersa të gënjejë veten dhe të tjerët. Mirëpo ky është cen karakterial i Berishës dhe në PD, atë pjesë që udhëhiqet nga Berisha, ku të gjithë janë implementuar politikisht si ai.
Më e rënda, kanë rënë në një frustracion pisikologjik prej të cilit nuk dalin dot dhe që i degradon çdo ditë e më keq.
Ata zgjedhin këtë rrugë, të egërsisë politike, edhe nga fakti i një mungesë të hatashme kulturimi politik. Në PD, pothuajse nuk has askënd me një nivel sipëran ligjërues. Nëse do ishte kështu, edhe në mos e patçin sa duhet kohën apo mundësinë e ligjërimit parlamentar imponues, do mjaftonte media për të përcjellë ndjesinë a bindjen në popull se janë intelektualisht, teknokratikisht, apo dhe etikisht, mbi kundrshtarin.
Prej tyre kurrë, duke nisur që nga vetë Berisha, kurrë nuk dëgjon gjëra të mençura. Mungesa qoftë dhe e një përqindjeje sado të vogël elegance mendimi, është e hatashme te ata.
Çmenduria është kur kujtohesh se mbajnë dhe tituj – doktor e profesor – apo se janë mësimdhënës universitarë. Këtu dhe logjika bllokohet e s’vijon dot më tej me rrekje arsyetuese.
Dhe të mendosh tjetrën, që ndonjë nga ata, bllokues foltoreje, ka përfunduar studimet në SHBA(!!!).
Sigurisht, dhe të tillë nuk ofrojnë kurrë ndonjë gjë të mençur që yshtin të pyesësh: Ku ka studiuar ky djalë? Për çfarë është diplomuar?
Është shumëdimensional mjerimi opozitar! /sarandacity.al/