Policia greke po bëhet gati t’i kërkojë ndihmë Europol-it lidhur me vrasësin e familjes shqiptare në Andravida, Sakis Varvaresos, 60 vjeç.
Bëhet fjalë për zhdukjen në vitin 2019 të dy shtetasve, një shqiptari dhe një bullgari, të cilët ishin punëtorë krahu në zonë. Këta të fundit ishin zënë me 60-vjeçarin dhe dy ditë më pas u zhdukën pa lënë gjurmë.
Ngjarja ndodhi atëherë në një kafene jashtë Andravidas, ku 60-vjeçari i ofendoi ata me fjalë raciste për prejardhjen e tyre dhe më pas i kërcënoi me armë. Dy ditë më pas, greku Varvaresos u tha banorëve të zonës se dy emigrantët nuk erdhën më në punë.
Madje sipas tij, ikën pa i kërkuar as rrogën.
Policia greke do kërkojë ndihmën e Europol-it lidhur me vendndodhjen e dy emigrantëve për të hetuar mbi zhdukjen e tyre prej asaj dite, pasi ka dyshime se 60-vjeçari mund t’i ketë vrarë dhe ata.
Pak ditë më parë, Sakis Varvaresos ekzekutoi në mënyrë makabre një familje shqiptare, çiftin e bashkëshortëve, Armando dhe Maria, dhe dy fëmijët e tyre të mitur.
Sipas versionit dhënë prej tij, familja shqiptare nuk kishte paguar qeranë. /sarandacity.al/