Në Detin Egje është gjetur rrënoja e nëndetëses britanike H.M.S Triumph, e cila u zhduk në mënyrë misterioze gjatë një misioni në Greqi në vitin 1942, gjatë Luftës së Dytë Botërore, njoftoi të mërkurën agjencia greke e lajmeve ANA.
Ajo u pa “në një thellësi prej 203 m në detin Egje” dhe “disa dhjetëra kilometra larg bregut” nga kolegët e zhytësit grek Kostas Toktaridis, të cilët dolën në kërkim të saj në vitin 1998.
Nëndetësja e klasit T 84 metra e gjatë është e lidhur me “rezistencën kundër pushtimit nazist në Greqi” dhe me “shërbimin sekret britanik”, tha Toktaridis, raporton ANA.
“Të 64 anëtarët e ekuipazhit vdiqën në fundosje”, tha i njëjti burim.
Triumph përfundoi njëzet misione luftarake nga viti 1939 deri në 1942.
Ai nisi misionet e tij në detin Egje në mars të vitit 1941 pranë ishujve Dodekanezë, të cilët në atë kohë ishin nën pushtimin italian, ku “shkatërroi shumë anije armike, përfshirë edhe nëndetësen italiane Salpa”, shkruan ANA.
Por më 23 janar 1942, gjatë misionit të saj të 21-të në Detin Egje, Marina Britanike njoftoi se nëndetësja Triumph “konsiderohej si e zhdukur”.
Dëshminë e fundit për nëndetësen e ka dhënë një pilot italian që e ka parë më 9 janar 1942 pranë Kepit Sunia, në Gjirin Saronik, pranë Athinës.
Mes versioneve të ndryshme për shkaqet e fundosjes së nëndetëses janë një përplasje me një minë në ishullin cikladik të Milos, kapja në veprim nga forcat gjermane të ndihmuara nga agjentët italianë dhe një shpërthim në harkun e nëndetëses, tha Kostas Toktaridis.
Ekipe të shumta kërkimore nga Malta dhe Rusia vinin në Greqi në kërkim të rrënojave të saj. /sarandacity.al/