Greqia ka vendosur të hapë kufijtë për turistët nga vendet e Bashkimit Europian, por jo për të gjithë.
Zv/ministrja e Turizmit, Sofia Zacharaki u shpreh se nga 14 maji, turistët nga BE do të kenë mundësi të kalojnë pushimet në Greqi pa karantinë, me kushtin e vetëm që të jenë të vaksinuar ose një test negativ PCR.
“Pushuesit ose do të duhet të jenë të vaksinuar ose të tregojnë një test negativ PCR të koronavirusit. Pas kësaj, ata do të jenë të lirë të pushojnë në Greqi. Kjo rregullore do të zbatohet gjithashtu për disa shtete joanëtare të BE-së përfshirë Serbinë dhe Britaninë e Madhe”, tha zv/ministrja.
Po ashtu, karantina është hequr dhe për vizitorët nga Izraeli. Nga e hëna, 19 prill, vizitorët nga BE, SHBA, Britania, Serbia, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk do të kenë karantinë të detyruar.
Nga ana tjetër, nuk lejohen akoma udhëtimet për turizëm apo vizitë nga shtetasit shqiptarë, jo-rezidentë në Greqi.
Greqia ka deklaruar se po hap kufijtë për mbarë turistët, por shqiptarëve jo-rezidentë iu ngelet të presin për udhëzimet e datës 14 maj. /sarandacity.al/