Histori si në përrallë. Është sikur udhëton me Titanikun. Me një ndryshim: “Kapiteni” ynë, Sevo Qendro, e nisi “lundrimin” e virgjër rreth 150 vjet më parë dhe “Titaniku” i tij akoma është duke lundruar… Fjala është për një nga emblemat e turizmit grek, Hotelin “Grande Bretangnia”, nga më të dëgjuarit në Europë dhe në botë dhe pronarin e parë Sevo Qendro, nga bregdeti i Sarandës.
Kurbeti vërtet ka qenë një plagë e vjetër, por ishte edhe një shans për të ndryshuar jetën. Këtë besonte edhe Sevua…
Iku nga vendlindja duke mbartur me vete prapambetjen dhe injorancën e kohës. Me gunën në krahë, me koburet në brez dhe me fustanellën tërë lerë, rreth viteve 1840, mori rrugën e kurbetit. Korfuzi ishte stacioni i parë. Në kërkim të një pune në ishull, takon një patriotin e tij që e dërgon në Agrinio. Aty fillon punë në një dyqan tregtar. Me të hollat që mblodhi provoi të merrej me tregtinë e gjësë së gjallë. Nuk i eci…
Revolucioni i 1854 i Maqedonisë e gjen në Selanik si luftëtar.
I lodhur dhe i raskapitur drejtohet për Athinë, në kërkim të vëllait që punonte nëpër stane.
E gjen duke mirëmbajtur karrocat mbretërore. Me shumë vështirësi gjen punë si truproje i një të pasuri nga Vlahia. Kjo i dha mundësi të udhëtojë në shumë vende të Evropës. Në Bukuresht forca dhe druri ndaj të tjerëve ishin bërë mjeti i jetës së përditshme. Kthehet në Athinë tashmë si një ‘’evropian’’, duke lënë mënjanë fustanellën dhe kapën. Fillon të bëjë punë të rëndomta në një nga hotelet e qendrës së Athinës. Përsëri forca dhe druri që përdorte ndaj eprorëve, e çuan në dyert e burgut. Pas burgut vazhdoi të punonte përsëri në hotelet e pjacës. Gjithë pasuria e tij ishin jo më shumë se 30 sent, një shumë qesharake për të pasur ëndrra e për t’u bërë i pasur. Megjithatë ky ishte kapitali i një rruge kapitale.
Më 12 tetor 1866, Sevo Qendro themelon hotelin “Grande Bretagnia” në qendër të kyeqytetit. Hoteli ishte përballë Pallatit Mbretëror, atje ku gjendet sot ndërtesa e Parlamentit grek.
Në këtë rrugëtim, Qëndro bashkëpunon me një nga kuzhinierët më të famshëm të Greqisë, Stathis Lampsas. U emocionua nga personaliteti dhe nga idetë novatore që solli ai nga Parisi dhe e bën atë bashkëpronar në hotel.
Qysh nga fillimet e tij në shek 19-të e deri më sot, ky hotel ka qënë zgjedhja e vetme e anëtarëve të familjeve mbretërore, për kryetarë shtetesh, personalitete të shquara të fushave të ndryshme nga e gjithë bota.
Në 150 vitet e shkuara në sallonet e tij politikanët kanë nënshkruar traktate, bizesmenët marëveshje të rëndësishme dhe qeveritë kanë pasur selinë e tyre.
Brenda një kohe të shkurtër, hotel “Grande Bretagnia” do të bëhej më i miri i Lindjes, akomodimi më i shquari i Evropës Lindore.
Fatkeqësisht Qëndro nuk do të shihte përpjekjet e tij të shpërblehen, pasi vdiq më 1888, duke lënë Lampsas pronarin e vetëm të hotelit.
Sot, meqënëse Greqia është miti i botës perëndimore, hotel “Grande Breragnia” thjesht konfirmon mitin e Greqisë. Por Athina ia ka për borxh Sevo Qëndros, por po aq për borxh ia ka edhe Saranda dhe Shqipëria këtij bregdetasi largpamës, që la emër dhe vepër.
Shkruar nga Piro Naçi – /sarandacity.al/