Një video që qarkullon në rrjetet malazeze është bërë virale, nën pretendimin se është një pamje nga bregdeti shkëmbor shqiptar. Aty shfaqen një tufë gjarpërinjsh, një skenë vërtet e frikshme, por që ngjan të jetë një fake news i trashë, ndoshta tendencioz në qëllime, për arsye konkurence.
Siç dihet tashmë, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë që devijojnë nga Mali i Zi sidomos për arsye të çmimeve të larta atje, si dhe detit më tërheqës shqiptar.
Por disa media rajonale janë molepsur nga kjo pamje pa e vënë në dyshim atë nëse vjen apo jo nga Shqipëria, duke e servirur si lajm që po, vjen nga Shqipëria.
“Një tufë gjarpërinjsh në një plazh shkëmbor në Durrës, Shqipëri…”, shkruan njëra prej tyre, pa e ditur se në Durrës dhe në krejt Adriatikun nuk ka kërkund plazh shkëmbor. Ato nisin e shtrihen në Jon, por askund dhe asnjëherë nuk është konstatuar se ka të tillë tufa me gjarpërinj mes shkëmbinjve.
Videoja është publikuar në faqen e Instagramit antidroga07 dhe më pas, mediat që e morrën atë e shpërndanë lajmin pa e verifikuar, mjaft që të goditej turizmi shqiptar, përveç njërës. Ajo pyeti një specialist mbi llojin e gjarpërinjve në video, nga i cili doli e vërteta.
Tihomir Radonjiç, veteriner, tha:
“Edhe pse modeli i tyre i ngjan një prej atyre helmues, është ende një specie ujore krejtësisht e padëmshme e quajtur Natrix tessellata,” shpjegoi ai.
Siç tha specialisti, prania e një numri të madh të këtyre gjarpërinjve në një lokalitet është edhe tregues i numrit të madh të peshqve me të cilët kryesisht ushqehet kjo specie.
“Ata ndoshta nuk shqetësohen apo vriten nga njerëzit atje dhe nuk kanë shumë armiq natyrorë, prandaj janë të pranishëm në një numër të tillë”, ka shkruar ai.
Ai shtoi se gjarpërinjtë helmues në përgjithësi e shmangin ujin, kështu që rrallë është e mundur t’i shohësh në afërsi ose në vetë ujin dhe më tej ai shpërndau frikën e turistëve të destinuar për në Shqipëri, duke treguar se kjo video nuk është filmuar në bregdetin e Adriatikut, por nga një liqen me ujë të ëmbël. /sarandacity.al/