Ligji për investimet strategjike i cili u miratua në vitin 2015 parashikon një sërë aspektesh, që nga kushtet që duhet të plotësohen nga subjektet përfituese të statusit e deri tek lehtësitë.
Në pritje të një kuadri të ri për investimet që prej disa kohësh është në hartim, nga ana e qeverisë është bërë shtyrje e vazhdueshme e afatit të ligjit ekzistues dhe në Kuvend është dorëzuar kërkesa për një afat të ri. Referuar kërkesës afati i ri kërkohet që të jetë 31 dhjetori 2023 nga 31 dhjetori i këtij viti që është aktualisht.
Në relacionin që shoqëron projektligjin argumentohet se shtyja e afatit vjen për t’i mundësuar investitorëve të paraqesin kërkesa për investime të kësaj natyre duke përfituar statusin investim/ investitor strategjik procedurë e asistuar/veçantë.
“Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është menduar hartimi i projektligjit ‘Për investimet’ i cili ka lindur si domosdoshmëri pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë i jepte mbrojtje shtesë investimeve të huaja por jo atyre vendase ndërkohë që një korpus i ri ligjor me vete ishte krijuar për investimet strategjike. Në këto kushte u mendua hartimi i një ligji të unifikuar të investimeve që mbron njësoj si investimet vendase por dhe ato të huaja e me një trajtim si pjesë më vete në të për investimet strategjike duke u përshkuar i gjithë ligji nga parimet e transparencës barazisë dhe të trajtimit pa diskriminim të investitorëve do të rriste garancinë e investitorëve.
Për sa më sipër nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë është menduar zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave deri më 31 dhjetor 2023”, thuhet në relacion.
Ligji për investimet strategjike
Ligji për investimet strategjike u miratua në vitin 2015 dhe që një investim të cilësohet i tillë duhet të plotësojë kriteret që lidhen me interesin publik dhe aspektin financiar.
Interesi publik në përzgjedhjen e një investimi strategjik vlerësohet ndër të tjera, sipas vlerës së investimit, kohës së realizimit, produktivitetit dhe vlerës së shtuar të tij, hapjes së vendeve të reja të punës, zhvillimit ekonomik rajonal dhe lokal, ofrimit të teknologjive të reja për rritjen konkurrencën dhe efektivitetit të investimit, mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, etj.
Kriteri financiar, sipas sektorit strategjik ku realizohet investimi, apo statusit të tij, varion nga një vlerë investimi e barabartë me, ose më e madhe se 1 (një) milion euro deri në një vlerë të barabartë me, ose më e madhe se, 50 (pesëdhjetë) milionë euro. Gjithashtu, për investitorët e interesuar të investojnë në sektorë të ndryshëm nga ata të përmendur më lart, kapitali investues i projektit përkatës duhet të jetë i barabartë me, ose më i madh se 100 (njëqind) milionë euro në mënyrë që të konsiderohet investim/investitor strategjik.
Ligji parashikon si investime strategjike, investimet private, publike ose publiko-private, në sektorë të ndryshëm si energjia dhe minierat, transporti, telekomunikacioni, infrastruktura dhe mbetjet urbane, turizmi, bujqësia dhe peshkimi, zonat ekonomike, zonat me prioritet zhvillimi. /Monitor/