Është kënaqësi dhe nder të takosh divën e këngës popullore shqiptare Irini Qirjakon, një këngëtaren e shquar që ka nxjerrë minoriteti grek. Dhe mua m’u dha rasti ta takoj, t’i bëj intervista në gazetë, në radio, ta shoqëroj në koncert në Greqi, ta ndjek në skenë me grupin polifonik të Finiqit.
Tashmë ky grup polifonik mban emrin e saj, dhe ajo është bërë anëtare aty e shumë vite. Megjithëse arti e ka ngjitur në skenën e këngëtarëve korifej të këngës popullore shqiptare dhe greke, ajo mbetet vajza e thjeshtë finiqiote. Medaljoni magnet në qafën e saj e ka tërhequr kudo që ka shkuar, drejt Finiqit, vendlindjes së saj, atje ku siç thotë, e vogël, pas babait të saj, një këngëtar i mrekullueshëm në dasma e trapeza, rufiti nektarin dhe u dashurua me këngët popullore të krahinës së saj. Ndjente mallëngjim e ia mbushte trupin me normica, i ngjethnin mishin ato melodi të dhimbshme, të bukura, të mrekullueshme, brilante ,ato valle burrërore, ato këngë vajtimtare që çonin edhe të vdekurin.
“Të mohosh vendlindjen tënde në emër të lavdisë”, thotë Irini, “do të thotë të mohosh të gjitha, të zhvishesh nga njerezëllku, të mohosh dashurinë për të shtrenjtët e tu qe ke në jetë. kurrën e kurrës!”
Nostalgjike bëhet Irini kur kujton veten e saj çamaroke kur i hapi krahët ëndrra për të kënduar aq bukur si babai që e adhuronin të gjithë.
“Kur isha e vogël, vetëm, ulesha pranë oxhakut dhe këndoja. Sikur doja të ma përcillte ai. Mirëpo shtëpia e gjitonës ishte gati ngjitur, dhe ajo më dëgjonte. Një ditë i tha mamasë sime: “Moj Dhimitrullë, ajo vajza jote ka një zë të ëmbël dhe këndon shumë bukur. Më dëgjo mua, do të bëhet këngëtare e madhe”.
Mamaja ime e pa me nënqeshje dhe mosbesim. “Lena edhe ti moj, mos i ngre mendtë”.
“Mësuesi im i klasës së parë, Petro Kurti, u mahnit kur më dëgjoi në një program qe bëmë për shkollën”.
“Ti ke zë bilbili”, tha i menduar.
“Këto fjalë më dhanë krahë. Pastaj në 7-vjeçaren në Finiq, se unë rrija në SMT(Çlirim) ku punonte babai me mekanizmat, mësuesja ime e dashur Linda Kordha, me mandolinën e saj më futi në magjinë e këngëve dhe në realizimin e endrrës sime. Ajo më çoi në konkurrim ku mbaj mend në juri ishte Çesk Zadeja dhe Kostandino Trako, dhe njëri nga ata, pa dalë rezultati s’e mbaj mend, më pëshpëriti në vesh: ‘Mirë se të na vish në Tiranë’.
Ky ishte starti i Irinit nga Finiqi që do të ngjitej me zërin e saj brilant në piedestalin e këngëtareve të shquara dhe me të dashura për publikun shqiptar dhe të huaj.
Irini e mban të paharruar momentin qe i ra të fikët në skenë, e rrallë kjo, nga kënaqësia e papritur e suksesit.
“Ishin Koncertet e Majit. Kënga më emocionoi shumë kur e këndova. Këtë efekt bëri te salla e cila më kërkoi përsëri me duartrokitje të papërmbajtura. Më ra të fikët. Nuk e di si më sollën në vete. Salla nuk ndalonte me asgjë. Dola e këndova përsëri”.
Tashmë Irini do të shkëlqejë si yll në Asamblin e Këngëve dhe Valleve, jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, në turnetë artistike në vendet e tjera. Ajo rrëfen një çast tepër emocionant. Vërtet ajo ishte minoritare, por në regjimin komunist i ishte ndryshuar liria të këndonte në gjuhën e saj, të babait dhe të nënës.
“Para 22 vitesh, kisha bërë dy albume muzikore në Paris të Francës dhe një në Spanjë. Një ditë më bie telefoni. Më fliste greqisht.
‘Irini Qirjako je?’
‘Po’- i thashë.
Ishte një muzikologe greke qe jetonte në Amsterdam. Ajo më tha se e dëgjoi albumin dhe pa emrin tim Irini Qirjako nga Shqiperia me kombësi greke nga Finiqi i Sarandës. Më kërkoi të bëj disa koncerte në disa qytete të Holandës dhe të Belgjikës me këngë të përziera popullore shqiptare e greke, 50 me 50 raporti. E ndjeva veten time shumë të lumtur qe do të më jipej rasti në publikun e jashtëm të këndoja në gjuhën e prindërve të mi. Isha kaq e lumtur, njëkohësisht zemra më rrihte fort. Ahere prindërit e mi kishin vajtur në Korfuz. Vrapova aty dhe akoma e përqafuar i thashë babait: ‘Do të këndoj greqisht këngët tona. Duhet t’i rikujtojmë se bashku’.
U ulëm në breg të detit dhe kënduam te tre. Suksesi im në Holandë ishte i papërseritshëm. Më ndoqën edhe grekë që banonin atje dhe më duartrokitën me gjithë zemër e fuqi.
Ndjeva vërtet Irinin Qirjakon brenda meje, sepse këndoja me këngët e babait tim që ishte këngëtar i mrekullueshëm në dasmat dhe trapezat që bëheshin në Finiq e në fshatra rreth tij. Ndjeva rolin e madh të artistit, sepse artisti është ura më e mrekullueshme që bashkon shpirtrat e gjithë botës; ai nuk njeh kufij, nuk njeh dallime etnike, ngjyre, feje, është i gjithë botës, i mirësisë, i paqes, i dashurisë njerëzore”.
Shkruar nga Panajot Boli – /sarandacity.al/