Tregu i jahteve në vend nuk po shtohet me flotë të re, por transaksionet përkufizohen te mjetet e përdorura që ndryshojnë pronar.
Smerald Bozaxhiu, administrator i “Albania Yacht Charter”, thotë se kjo lidhet me mungesën tonë të kulturës apo stilit të kësaj jetese, si dhe të infrastrukturës. Kjo e fundit po kufizon dukshëm edhe ardhjen e jahteve të tjera të huaja, që kanë interes për të vizituar Shqipërinë.
Sa i takon preferencës për pushime, ai thekson se është rritur interesi si nga vendasit, edhe nga të huajt, për t’i marrë me qira. Jahtet së fundmi nuk po përdoren më vetëm si një alternativë pushimesh ekskluzive apo si variant luksoz, por edhe për takime biznesi, kur diskutohen projekte të veçanta.
Si paraqitet ecuria e shitjeve për tregun e jahteve apo barkave?
Ajo që vihet re te shitjet, është fakti se kemi të bëjmë me “second hand”, pra shitje të varkave të përdorura. Nuk po shtohet flota, thjesht ato që janë po ndryshojnë pronar. Kjo nuk është diçka pozitive, se barkat vërtet mirëmbahen, por nuk rinovohen dhe Shqipëria ka flotë të vjetër, sigurisht kur e krahasojmë me vende të tjera si Greqia apo Mali i Zi.
Kjo ndodh pasi njerëzit këtu nuk e konsiderojnë si biznes qiradhënien. Shumica e pronarëve mendojnë se jahti apo barka është e tyre dhe nuk duan që një person tjetër ta përdorë. Ndërkohë ndodh e kundërta në Mal të Zi dhe Greqi. Aty flota rinovohet çdo vit dhe shihet si formë investimi.
Shitet barka e vjetër, shtohet kapital, blihet një më e re. Aktualisht kam një marrëveshje me një kantier italian, që prodhon barka dhe jahte “Fiartmare” për shitje dhe e mendova si një mundësi që të zgjerohet flota. Si një “dealer” ekskluziv, kam një përqindje të lartë.
Fokusi im është të heq këtë përqindje në momentin që e shes, me kushtin që t’i them pronarit ti e blen, do ta kesh për qejfin tënd, por unë të jap mundësinë që ta lësh dhe në charter (qiradhënie) me një kontratë 3-4-vjeçare. Njerëzit duhet të fillojnë ta konsiderojnë si investim. Blerja e barkave të reja ende nuk është në ndonjë numër të konsiderueshëm.
A ndodh kjo ndoshta ngaqë një pjesë e jahteve dhe barkave janë të regjistruara jashtë dhe jo në Shqipëri?
Edhe kjo ndikon, sigurisht, por nuk është e qartë se deri në çfarë mase.
Si është interesi për të vizituar Shqipërinë me jahte apo barka të mëdha?
Ne kemi bashkëpunim me bazën në Mal të Zi dhe Korfuz dhe barkat që kanë dokumente ndërkombëtare mund të bëjnë charter (jepen me qira) nga Korfuzi në Sarandë apo nga Mali i Zi në Durrës. Kjo do të thotë që klienti shqiptar, imbarkohet në Durrës. Unë kam raste që tur-operatorë të huaj, për shembull nga Korfuzi, më thonë “ndjeu i lirë që barkat tona t’i japësh me qira në Korfuz”.
Unë i them se objektivi im nuk është të sjell njerëzit në Korfuz, por që Shqipëria të kthehet në destinacion për këtë turizëm, sepse ne vendet e bukura i kemi. Brigjet janë shumë të bukura. Çdo agjenci ose tur-operator i huaj që vjen mbetet i mahnitur nga bukuria, edhe pse ka mangësi theksuar në shërbime, në marina në pontile. Shoh që dy vitet e fundit, në 2019 dhe 2020, ka pasur interesim për Shqipërinë nga klientë të huaj, por edhe “high end” (klientë me buxhete të mëdha). Shumica e klientëve ama tërhiqen, sepse nuk e kanë të garantuar ku do të ankorojnë.
Ka klientë që janë të gatshëm të vijnë me jahte nga 60 deri në 100 metra, por nuk dinë se kush do t’ua japë shërbimet. Duan karburant në sasi të madhe, porte të mëdhenj. Marina e Orikumit, për shembull, nuk pranon varka mbi 21 metra. Një nga jahtet që ne ofrojmë me “charter” nuk hyn aty dhe qëndron ose në Durrës, Porto Palermo ose Sarandë. Nëse unë dua të imbarkoj njerëz nga Orikumi, nuk e bëj dot, sepse nuk i nxjerr njerëzit me gomone nga marina te jahti, pasi ligjërisht nuk është e saktë. Jahti duhet të hyjë në marinë, të bëjë dokumentet e pastaj të dalë.
Ta zëmë se ligjërisht po gjejmë një zgjidhje për dokumentet dhe po çohen dorazi, por klientët që përdorin këtë shërbim nuk i duan situata të kësaj natyre. Ata duan çdo gjë në mënyrë korrekte dhe çdo problem ta kenë të zgjidhur dhe jo të zvarriten me procedura hipje në gomone apo tërheqje valixhesh. Për këta klientë, çdo gjë duhet të jetë strikte dhe ne u ofrojmë edhe shërbime të tjera si prenotim restoranti, catering, bar, aktivitete si diving, sky diving, hiking. Ai do që ato tre ditë, një javë apo dhe një ditë në jaht apo barkë të relaksohet dhe gjithçka ta ketë të zgjidhur.
Çfarë itineraresh ofroni në përgjithësi për charterat?
Unë i kam ndarë në tre zona, Orikumi, Porto Palermo dhe Saranda. Nga Porto Palermo janë katër itinerare dhe është zona më e mirë për të bërë charter, pasi ke dhe drejtimin e Sarandës dhe drejtimin e Karaburunit, ose deri në Gramë dhe nuk bën gjithë Karaburunin që është humbje kohe, konsum karburanti dhe deti është më i trazuar. Itineraret më të bukura janë nga Porto Palermo, por Saranda ka itinerare të bukura, për shembull Plazhi i Manastirit, Pasqyrat, Kepi Merli, Gjirin e Hartës. Bëjmë një ndalesë në Gjirin e Butrintit, ku me gomone shkojmë deri te kalaja, sepse ka barka që nuk hyjnë deri aty. Bëjmë Kepin e Stillos dhe Ishullin e Tongos. Ky ishull është kufiri final mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të mos thënë që e kalon pak kufirin tonë, por ata janë dashamirës, nuk para sjellin probleme.
Unë i ndaj klientët në dy kategori, ata që duan “të duken” dhe ata që duan “të zhduken”. Ata që duan të duken kanë itinerarin e tyre, që është Dhërmiu, Drimadhes, Jali. Pjesa tjetër janë ata të plazheve të Karaburunit, gjire ku nuk shkon dot me asgjë përveçse me mjete lundruese. Kakomeja, për shembull, ka një rrugë aksesi, por s’ka turizëm masiv, Krorëza nuk është masive.
Cilët janë të huajt që preferojnë më shumë këtë stil jetese?
Këtë vit edhe vjet, janë shqiptarët e Amerikës, dhe shtetasit e Kosovës që qëndrojë në Zvicër, pra diaspora. Shqiptarët e Kosovës kanë interes shumë të madh dhe mundësi më të mëdha, mesa kam vënë re. Jo të gjitha shërbimet e jahtit janë superluksoze dhe të papërballueshme gjithsesi.
Ne kemi shërbime që ofrohen dhe janë të përballueshme edhe për shtesën e mesme të sipërme dhe këto janë grupet më të mira, sepse janë më fleksibël. Ai buxhet që kanë të vendosur i bën të kërkojnë dhe pyesin sa më shumë dhe është mirë kur klientët pyesin, pasi na e thjeshton edhe ne punën.
Nga shqiptarët që jetojnë brenda vendit, nëse i ndajmë në grupe të profesioneve apo shtesës që i përkasin, cilët janë ata që e zgjedhin më shumë këtë shërbim?
Kryesorët janë sipërmarrësit. VIP-at janë kategori që i trajtojmë veç, sepse pas kërkesës, pyetja e dytë e tyre është a mund ta bëjmë klering (mall me mall). Klientët bazë janë, e theksoj, sipërmarrësit, bankierët, CEO të kompanive të rëndësishme. Kemi dhe klientë dhe kompani që e përdorin si shërbim për “staff retreat” (organizim jashtë pune i stafit) ose për bonuse.
Ne ofrojmë edhe shërbime “business meeting” (takime biznesi) kur dy persona duan që të diskutojnë një projekt larg çdokujt marrin barkën (kjo është ajo kategoria e atyre që duan të zhduken) dhe e përdorin për të qenë larg. “Business meeting” ne i ofrojmë gjatë gjithë vitit, mjaft që deti të jetë i qetë. Nuk është ende diçka e zakonshme, por përdoret. Ofrojmë edhe shërbimin e propozimeve, apo përvjetorëve dhe kjo përfshin dhe drekën dhe darkën 2-3 orë në perëndim. Përgjithësisht, përparësi u jepet charterave 1-javorë, 5-ditorë dhe jo atyre me orare të kufizuara për shembull 3-4 orë, por nuk i përjashtojmë.
Çfarë tregjesh kanë shfaqur interes për Shqipërinë sa i takon këtij lloj turizmi?
Këtë vit, zhvillim shumë interesant është ai që lidhet me Arabinë Saudite. Këtu ka hyrë me chartera “Flynas”, që nga 15 qershori. Kompania ajrore solli përfaqësues të saj të marketingut, të cilët bënë një “fame trip” në 7 ditë. Filmuan gjithçka, provuan restorante të ndryshme dhe mbetën shumë të kënaqur. Komenti i tyre ishte që nëse klientët tanë do të ndiejnë këtë që ndiejmë ne këtu, do të ketë një turizëm të jashtëzakonshëm. Ky grup ka interes për turizmin e jahteve, pasi i kanë dhe mundësitë. Në krahasim me atë çfarë janë mësuar të paguajnë, ne jemi shumë të lirë si treg.
Po nga grupet e tjera të huaja, cilat janë kategoritë që kanë interes dhe cilët janë turistët “më të mirë”?
Gjermanët janë grupi më i mirë në këtë lloj shërbimi. Preferojnë barkat me vela dhe katamaran. Janë klientët më seriozë dhe më korrektë. Edhe francezët kanë këtë lloj preference, por këta të fundit e kanë pak edhe stil jetese, sepse janë mësuar me Rivierën Franceze. Për më pak korrektët në garë janë italianët dhe shqiptarët e Kosovës. Këta të fundit kanë shumë probleme me numrin.
Rezervojnë 10 dhe vijnë 12. Barkat kanë një kategori dhe për atë kategori, ti nuk mund ta kalosh. Ne nuk ofrojmë ture për më shumë se 10 persona në barka deri në 20 metra, sepse bie konsiderueshëm cilësia e shërbimit. Por duke qenë se barkat janë me ekuipazh, kapiteni ka përgjegjësinë për sigurinë në bord dhe deri në 10 veta mund t’i kontrollojë me sy nëse po bëjnë një veprim të rrezikshëm ndërsa mbi këtë, është vështirë ta menaxhosh.
Cilët i preferojnë më shumë jahtet? Familjarët, çiftet, grupet shoqërore? Sa është mesatarja e numrit të ditëve që merret në përdorim një jaht?
Mbizotërojnë familjet dhe grupet shoqërore. Mund të kenë diferencë shumë të vogël mes njëri-tjetrit. Për nga kohëzgjatja, dominojnë ditoret. Ne këtë vit i zgjeruam disi shërbimet dhe e ndamë në “daily cruiser”, që është një shërbim që ti e merr mjetin në 9:00 dhe e dorëzon 19:30 apo 20:00, duke përfshirë dhe perëndimin.
Po këtë vit, kemi vënë në dispozicion edhe gomonet dhe çojmë klientët te jahti. Baza e klientëve janë në Dhërmi, Jal, Drimadhes, Palasë dhe këto janë “last minute” (të momentit të fundit). Shqiptarët janë “last minute” dhe diversifikimi është shumë i nevojshëm në Jug.
Të huajt, nga ana tjetër, preferojnë qiramarrjen për tre ditë deri në një javë. Zakonisht ai që e merr një javë me qira, e di që ato janë pushimet e veta. Ndërsa ai që e merr për 3-4 ditë, i ka të kombinuara. Shqiptarët dhe ata të Kosovës qëndrojnë tek ditoret.
Është e vështirë të bindësh një shqiptar që të kalojë një javë në barkë, pasi i duket sikur do vuajë, nuk e ka stil jetese. Gjithsesi ne jemi të kënaqur edhe me rezervimet njëditore pasi ata të çojnë drejt charterave (qirasë) më të gjatë. Dhe këto të çojnë drejt klientëve më të qëndrueshëm apo që edhe blejnë një barkë apo jaht.
Kjo po kthehet në një lloj industrie, që nëse ti do t’i japësh përparësi turizmit, kërkon dhe investime në infrastrukturë. A mendoni se duhet të ketë një lloj profilizimi profesional për këto grupe?
Një jaht ka minimumi kuzhinier, kamerier dhe hostess. Fati im është që kam bar dhe restorant dhe i gjej të specializuar, por nëse nuk do t’i kisha, do ishte problem i madh. Prania e stafit varet nga gjatësia e barkës, për shembull një minijaht dhe jaht ndahen te 18 metra.
Minijahti është programuar që të merret pa ekuipazh, por për shkak të pasigurisë dhe mungesës së sinjalistikës, ne detyrohemi që të mos e japim kurrë pa të tillë me përjashtim të velierave kur patenta verifikohet që është marrë saktë dhe ka orë lundrimi. Këto jahte nuk janë të programuar të kenë kuzhinier. Kanë kuzhinë, por për ndonjë gjë të vogël që do të sajosh aty, jo gatim i mirëfilltë. Kurse jahtet e mëdhenj, 23-27 metra, kanë kuzhina të mirëfillta dhe aty kemi edhe shef kuzhine në momentin që kërkohet, por 90 për qind preferohet të merret catering (i gatshëm).
U bë një lehtësim për TVSH për jahtet. A mendoni se mund të ketë ndikim kjo tek industria juaj?
Nuk besoj se do ketë ndonjë ndikim. Është ndihmë, por nuk mendoj se është kjo, ajo që e ndante blerjen nga mosblerja. Ne kemi problemin e marinave dhe mungesë kulture në këtë aspekt. Një person, sado buxhet të ketë, apo para në bankë, nuk zgjohet një mëngjes dhe thotë po shkoj të blej një jaht.
Janë charterat (qiramarrjet) që të çojnë drejt blerjes, sepse ti e fiton përvojën duke e marrë me qira dhe pastaj je gati të blesh. Nuk është si makina. Preferenca mendoj është më e madhe për charter se blerja, pasi një jaht është një vendim shumë i rëndësishëm, jo vetëm financiar, por edhe për stilin e jetesës.
Sa mjete keni në flotë që i ofroni për tregun shqiptar?
Për Shqipërinë janë të disponueshme 16 mjete lundruese. Mund të themi se janë 18, pasi këtë vit kemi shtuar dhe shërbimin me gomone. Këto dy gomone janë nxjerrë si një lloj marketingu dhe shërbejnë për transfertat kryesisht. Nga flota jonë janë dy “speed boat” që janë barkat e vogla deri në 9 metra, barka me vela “sail boat”, katamaran, guletat, minijahtet dhe jaht. Janë numër i vogël, por për çdo klient e kemi mjetin që mund të kërkohet.
Po çmimi si varion, nga maksimumi në minimum?
Në minimum mund të fillojë nga 400-500 euro në 8 orë me “speed boat”. Një velierë mund të shkojë 500-600 euro, në varësi të numrit të ditëve. Jahtet variojnë dhe maksimumi mund të shkojnë 3000-3200 euro/dita. Këta të fundit janë me më shumë staf, më shumë kapacitet, më luksoze, më të bukur. Nëse flasim për minijahte dhe jahte 1700-1800, euro/dita. Karburanti është gjithmonë ekstra. /Monitor/
Muchas gracias. ?Como puedo iniciar sesion?