Duhet të njihesh me Entela Gjonin, drejtuese e një shoqate për gruan, për të kuptuar se ç’halle kanë ato sot në shoqëri.
Duke u fokusuar në hapësirën e katër bashkive, “Jona”, shoqata e saj që vepron prej vitesh në Sarandë, ka prekur qindra fate të trishta grash, sidomos nën dhunë burrash. Por gjithashtu, u ka hapur udhë shpëtimi po qindrave prej tyre.
Nga Loreta Malka
Entela, cili ka qenë qëllimi i krijimit të kësaj organizate në Sarandë?
Shoqata e Gruas Jona u krijua në vitin 2001 me inisiativën e një grupi grash dhe vajzash intelektuale të qytetit të mirëinformuara dhe të marra me punët e barazisë gjinore dhe kryesisht me veprimtarinë e grave ndër vite.
Inisiativa e tyre ishte e përkrahur nga Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare dhe në bazë të kësaj kemi aplikuar për një bazë në Sarandë sipas procedurave dhe ligjeve për të krijuar një shoqatë.
Që nga viti 2001, kjo shoqatë zhvillon aktivitetin normalisht kryesisht nëpërmjet aplikimit me projekte të ndryshme nga donatorë të huaj por dhe vendas.
Sa anëtarë ka patur kjo shoqatë gjatë këtyre 20 viteve të veprimtarisë së saj?
Anëtarët janë mbi 50 gra dhe vajza dhe plus dhe vullnetarë në vazhdimësi. Ka patur anëtarë me profesione dhe shtresa të ndryshme.
Cilat kanë qenë disa nga fushatat sensibilizuese që ju keni bërë dhe i që quani ato si më të suksesshmet?
Në fokus të gjithë organizatës dhe qëllimit kryesor për të cilin u krijua kjo shoqatë është arritja e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave dhe vajzave, kryesisht mbrojtja e të drejtave të grave të shtresave në nevojë, ku me shtresa në nevojë kuptojmë që nga gratë e dhunuara, gratë e divorcuara që janë vetëm, vajzat që janë objekt i trafikimit ose që kanë qenë vetëm pa përkrahje. Këto janë target grupet kryesore që ne merremi por jo vetëm, d.m.th. kjo është njëra pjesë. Strategjia e shoqatës është e hartuar në mënyrë të tillë që të mund të përfshijë të gjitha fushat ku marrin pjesë gratë dhe vajzat në jetën sociale, shoqërore, ekonomike të qytetit dhe të gjithë zonës që ne veprojmë.
Ne veprojmë në të 4 bashkitë kryesore: Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol. Kemi koordinatoret tona në këto zona dhe grupet tona të grave aktiviste dhe vullnetare që veprojnë si koordinatore dhe urë lidhëse për të zgjidhur dhe ndihmuar sipas rasteve që ato kanë.
Një nga motot e kësaj shoqate është të ndërgjegjësojmë gratë për të denoncuar dhunën brenda familjes kryesisht por jo vetëm, gjithashtu në shkolla pasi çdo gjë që ndodh në familje pasqyrohet te fëmija nëpër shkolla. Fushatat nëpër shkolla për t’u njohur me të drejtat që ka secili prej tyre si adoleshent qoftë në shkollë, shoqëri, familje, për të mos rënë pre e bullizmit ose trafikimit të tyre. Pra të gjitha këto kanë qënë pjesë e takimeve, bisedave që ne bëjmë vazhdimisht nëpër shkolla. Nga këto takime nëpër shkolla janë evidentuar dhe janë zgjidhur shumë problematika që kanë pasur familjet e nxënësve, të cilët i kanë drejtuar këto probleme te ne.
Edhe për fuqizimin ekonomik i grave po punojmë shumë nëpërmjet trajnimeve sidomos për gratë që merren me turizmin familjar dhe gratë që shesin produkte gjatë sezonit veror, me qëllimin që ato të rrisin kapacitetet tregtare. Nëpërmjet trajnimeve që janë bërë gjatë tre viteve të fundit kanë përfituar shumë gra.
Gjithashtu trajnime në fushën e biznesit familjar siç është dhënia e dhomave me qera, duke i mësuar ato që nga mënyra sesi të shtrojnë krevatet apo përgatisin vaktet e ndryshme.
Por cilat janë disa nga problemet që ju adresohen më shpesh?
Problemi i dhunës në familje ngelet problemi kryesor dhe më i dhimbshëm, e kjo pothuajse në të katër bashkitë.
Vetëm gjatë vitit 2020, në rrethin e Sarandës kanë qenë 75 raste të cilat kanë marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje. Vihet re nga viti në vit e kërkesave për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Tej trishtimit që sjell ky fakt, kjo për shoqatën tonë është një arritje sepse është rritur numri i grave që denoncojnë. Numri i të dhunuarave mund të jetë më i madh por gratë që denoncojnë po shtohen nga viti në vit.
Si i ndihmoni ju gratë e dhunuara në momentin që paraqiten në shoqatën tuaj dhe kërkojnë ndihmë?
Roli ynë kryesor është të ndërgjegjësojmë, t’i njohim ato me të gjithë bazën ligjore dhe t’i mbështesim moralisht, psikologjikisht, por ende nuk mund t’ju ofrojmë një përkrahje me ndihmë ekonomike.
Cila është mbështetja më e madhe që mund t’i jepet një gruaje të dhunuar?
E para është zbatimi me rigorozitet i bazës ligjore, mbështetja financiare, sigurimi i saj me një punë në mënyrë që ajo të ndihet e pavarur ekonomikisht. Kontaktet që kemi me Zyrën e Punës është pjesë e mekanizmit mbështetës për këto gra.
Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me biznese që operojnë në fushën e turizmit, supermarkete dhe kemi bashkëpunuar e kërkuar vende pune.
Si është marrëdhënia juaj me policinë, gjykatën, prokurorinë?
Me Komisariatin e Policisë ne kemi një marrëdhënie shumë korrekte për çdo rast të denoncuar. Ata i referojnë direkt te ne nëqoftëse gruaja ka nevojë për përfaqësim psikosocial ose ligjor. Njoftohemi dhe ne dërgojmë përfaqësuesit tanë sepse ne ofrojmë si shoqatë dhe këshillim dhe përfaqësim ligjor.
Me Gjykatën dhe Prokurorinë jemi pjesë e mekanizmit.
Raportimi i këtyre rasteve në median lokale si ka qenë? A është shqetësuese mënyra sesi këto raste raportohen me detaje; dhënia e emrit, vendbanimi?
Është shqetësuese sidomos disa nga rastet e fundit, siç ishin ngjarjet e ndodhura në Gjashtë e në Ksamil, të cilat bënë publike me të dhënat personale. Kjo ndikon negativisht, pasi bërja publike e këtyre informacioneve e bën më të vështirë menaxhimin e rastit.
Mesazhi juaj si drejtuese e kësaj shoqate drejtuar grave dhe vajzave…
Respekti për veten. Gjithçka fillon duke respektuar veten. Nëqoftëse nuk e duam ne veten tonë, nuk mund të presim të na duan të tjerët. Të jenë të shëndetshme, të shikojnë veten e tyre dhe ta mbrojnë atë. /sarandacity.al/