Rama si kryeministër, mund të jetë më i përballuri me protesta gjithëfarësojshe në më shumë se 8 vite qeverisje. Dhe jo vetëm politike. I ardhur nga shoqëria civile në politikë, deri në nivele ekzekutive si kryeministër, ai mban dhe rekordin e përballjes me shumë protesta pikërisht të shoqërisë civile. Siç kjo e fundit për çmimet. Dhe ky është rasti për të kujtuar se para 30 vitesh, në lëvizjen antikomuniste të Dhjetorit, Rama, pedagog te Artet, ishte në pozitën e atyre që sot protestojnë kundër tij, poshtë zyrës së tij.
I vërsulen me gjithëfarë fjalori, edhe me ironi therrëse, por jo në atë lloj niveli ku frazat e lëshuar në ligjërime nervoze të shprehin dhe garipllëk të tipik intelektual.
Mund të hasen banderola me ca pak fantazi, por ligjërimi i folësve është në nivele mjerane. Askush prej tyre, edhe një aktor i njohur humori, i cili për ironi ka aktruar Ramën në vite, veç portretit si figurë skenike, nuk ka asgjë mbresëlënëse kur flet, aq më pak tërheqëse apo frymëzuese.
Si në protestën e famshme studentore të fund 2018-ës, e si në pasueset me përbërje rinore apo nga shoqëria civile, defekti më i madh është thatësia ligjërimore. Të gjithë ata që marrin mikrofonin, me një delirantizëm të lexueshëm, priren të thonë diçka por në fund nuk thonë asgjë, veç atyre frazave që janë në majë të gjuhës te mendësia populiste. Por populizimi pos që është i thjeshtë në artikulim, është edhe i rëndomtë. Nuk po themi abuzues, edhe pse është njëherësh i tillë.
Këta që janë sot në ballë të protestave anti-Rama, është mirë të kenë një referencë kur organizohen e zgjedhin të flasin. Nuk kishin lindur në 90-ën kur Rama qe si ata, por është mirë ta dinë se frazat e tij aso kohe qarkullonin në publik si perla ligjërimore të rebelimit antikomunist.
Njëra prej tyre kishte dhe Rusinë brenda. Ndoshta e vetmja, pasi Rusia nuk se ishte pjesë e atij diskursi dhjetorist. E duhet thënë se nuk ishte as buka, e cila është bërë sot kryefjalë e protestave. Në varfërinë e atyre viteve, e pakrahasueshme me të sotmen aty ku ajo shfaqet, luftohej më parë për botëkuptime, mendim politik, se sa për atë se si do mbushej barku i zbrazët nga ekonomia e rrënuar komuniste.
Por çdo thoshte Rama për Rusinë, e cila sot ka trazuar gjithë globin?
“Jemi bërë të verdhë si kinezët, të kuq si rusët dhe të zinj të shqiptarët!”. /sarandacity.al/