Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ushtruar një auditim të thelluar për të zbardhur efektshmërinë e procesit të legalizimeve, duke arritur në përfundimin se zvarritja e tij ka denatyruar qëllimin e tij duke nxitur madje ndërtimet e reja informale, ndërkohë që ka ekspozuar zonat bregdetare ndaj abuzimeve.
Në një raport të sapo publikuar, Kontrolli i Lartë i Shtetit, njofton se në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, ka ushtruar auditimin me temë “Efektiviteti i procesit të legalizimit dhe ndikimi në administrimin e pasurisë publike”.
Ky auditim u zhvillua në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përfshirë drejtoritë vendore, me fokus në analizimin e veprimtarisë së institucioneve përkatëse dhe politikave që synojnë menaxhimin efektiv të procesit të legalizimit.
Fokusi i auditimit krahas shqyrtimit në tërësi të zbatimit të politikave qeveritare ka përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me pronat publike dhe shtetërore, bën me dije në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Ecuria e tij ka hasur paqëndrueshmëri ndër vite në miratimin e lejeve të legalizimit, kjo e ndikuar kryesisht nga fakti se planet rregulluese vendore të bashkive nuk kanë qenë të përditësuar me ndryshimet demografike që kanë ndodhur në një zonë të caktuar.
Qasja e deritanishme legjislative dhe organizative për procesin e legalizimeve është e drejtuar kah përmirësimit por ende evidentohen problematika thelbësore.
“Reduktimi i kritereve për legalizim nuk ka eliminuar tërësisht aspektet burokratike ndaj shërbimit të qytetarëve, njëkohësisht vërehet se ka ulur nivelin e garancive ligjore që mbrojnë pronën publike (veçanërisht zonat bregdetare)”, Konkludon më tej Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Institucioni njofton se në raportin përfundimtar janë rekomanduar 6 masa për përmirësim ligjor, kryesisht me fokus mbrojtjen e zonave bregdetare nga ndërtimet informale dhe mbrojtjen e pasurive shtetërore si dhe 23 masa organizative, ndër të tjera, për unifikimin e hartave mes ish-ALUIZNI-t dhe ish-ZRPP. /scan/