Politika shqiptare u bë bashkë në Kuvend duke miratuar me 96 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektdeklaratën “Për forcimin e bashkëpunimit me Republikën e Greqisë dhe heqjen e Ligjit të Luftës”, hartuar dhe propozuar nga PDIU e Shpëtim Idrizit.
Idrizi shpjegoi në Kuvend se pse duhet bërë një deklaratë për heqjen e ligjit të luftës që Greqia mban me Shqipërinë që nga viti 1940.
“Me Italinë çështja u zgjidh në vitin 1947 me Traktatin e Paqes në Paris, ndërsa me Gjermaninë u hoq gjendja e luftës në mënyrë të njëanshme. Po me Shqipërinë? Është i njëjti ligj ku përcaktohen si shtete armike Italia, kolonitë e saj, tokat perandorake dhe Shqipëria. Vetëm pjesa e Shqipërisë ka mbetur pezull. Ligji në fjalë padyshim që është absurd. Ligji i luftës dhe sekuestro mbi pronat e shqiptarëve vazhdon të mbetet në fuqi që nga viti 1940. Kufizimet e të drejtave themelore të individëve janë të qarta. Jemi të vonuar me këtë deklaratë parlamentare sepse jemi këtu pas 84 vitesh. Deklarata është instrument i qëndrimeve politike nga ana e Parlamentit, duke u shprehur për një çështje me interes kombëtar”, tha Idrizi, duke vijuar:
“Mbajtja e këtij ligji është fyerje për dinjitetin dhe sovranitetin tonë. I takon këtij Parlamenti që të tregojë se Shqipëria është vend paqedashës dhe i pavarur. Kjo deklaratë kërkon zyrtarisht nga Parlamenti i Greqisë heqjen e ligjit të luftës dhe pasojave juridike e pronësore. Ky ligj absurd ngjan me ato minat e fshehura dhe të ndryshkura të Luftës së Dytë Botërore, që nga pakujdesia mund të shpërthejnë çdo moment. Prandaj duhet çaktivizuar”.
Në këtë projektdeklaratë, kërkohet nga Greqia shfuqizimi i Ligjit të Luftës dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
Në pr/deklaratë thuhet se, Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar, vëren se, ndryshe nga fryma e “Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr.2636/40,mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte.
Projekdeklarata detyron Kuvendin të ftojë Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesë përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do t’i shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.