Kompozitori i njohur Limos Dizdari u shfaq në një protestë vetmitare para selisë së Kryeministrisë, si një tjetër formë reaguese ndaj asaj që qendra kulturore “Dea” në Ksamil, sipas tij po uzurpohet nga njerëz pa asnjë lidhje me artin, madje rrugaçë siç thotë ai.
“Nëse duhet të bëhet ankand më fto mua që kam investuar pastaj të tjerët. Nuk është e imja qendra kulturore “Dea” por është e popullit.
Është e vetmja qendër kulturore që e kam mirëmbajtur për 23 vjet. Kanë qenë 154 të tjera, ku janë të tjerat? E vetmja që kanë ngelur është qendra kulturore “Dea”.
Unë kur vij në Tiranë që të kuroj time shoqe, aty futen vandalë për të prishur.
Kam 23 vite që e ndërtova dhe e rrita një ‘vajzë’ (Dea) që t’ja jap popullit tim, jo t’ia japim rrugaçëve.
Unë do të vazhdoj të jem këtu deri sa kjo punë të zgjidhet…”, tha kompozitori i njohur.
Vitet e fundit ai është në konflikt me disa personale në lidhje me qendrën “Dea”, e cila është pronë shtetërore e jo private, por që aty është investuar nga Dizdari pasi është marrë në përdorim me të njohurën “99 vite”.
Kujtojmë se Limos Dizdari ka qenë dhe një ish-figurë politike e PS-së, si ish-anëtar Kryesie e saj dhe njëherësh deputet. I përket kohës së Nanos, duke qenë njëherësh dhe ish-nanoist. /sarandacity.al/