Në një raport të gjatë e të detajuar hartuar nga Aleks Buda dhe një ekip specialistësh për dëmet e luftës në sektorin e trashëgimisë në Shqipëri, jepen detaje të imëta mbi objektet e shkatërruara plotësisht, grabitjet, apo edhe objektet arkeologjike të dëmtuara rëndë nga ushtria gjermane.
Në një pjesë të raportit të tij hartuar në janar 1947, Aleks Buda fokusohet në shkatërrimet e ndodhura në Apolloni dhe në Butrint si dhe në disa qytete të vjetra shqiptare si Berati, Durrësi, Elbasani etj.
Në pjesën për Butrintin, ai shkruan:
“Në fushën tjetër të rrëmimëve me famë botnore, në Butrinto, përveçse nga grabitjet e materialit të luejtshëm nga fushat e rrëmimeve na asht shkaktue nji dam i madh me shkatërrimin e plotë të fortesës e të pallatit venecian nga fortifikimet detare gjermane. Me këtë asht zhdukë monumenti ma me rëndësi nga historia mesjetare e Butrintos.”
Aleks Buda ishte ngarkuar nga qeveria e pasluftës, menjëherë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, për të verifikuar e analizuar dëmet e luftës në fushën e trashëgimisë historike e artistike, sikurse edhe për sistemimin dhe administrimin e pasurive të trashëgimisë të sekuestruara nga regjimi komunist në vitet e para të pasluftës. /sarandacity.al/