Anija më e madhe e lundrimit në botë është nisur nga Miami, Florida në udhëtimin e saj të parë mes shqetësimeve për emetimet e saj të metanit.
“Icon of the Seas”, në pronësi të Royal Caribbean Group, është 365 metra e gjatë, ka 20 kuverta dhe mund të strehojë deri në 7600 pasagjerë. Sipas BBC, anija turistike do të bëjë një udhëtim shtatë-ditor në ishujt e Karaibeve.
Siç thekson rrjeti britanik, ambientalistët kanë lëshuar paralajmërime për rrezikun e rrjedhjeve të dëmshme të metanit në atmosferë nga anija përbindësh, e cila punon me gaz natyror të lëngshëm (LNG).
E ndërtuar në një kantier detar në Turku, Finlandë, anija ka shtatë pishina dhe gjashtë rrëshqitje uji. Ajo ka kushtuar mbi dy miliardë dollarë për t’u ndërtuar dhe përmban mbi 40 restorante, bare dhe sallone.
Edhe pse LNG djeg më pastër se karburantet tradicionale detare, ekziston rreziku i rrjedhjes së metanit, i cili është jashtëzakonisht shqetësues pasi është një gaz serrë shumë më i fuqishëm se dioksidi i karbonit. “Është një hap në drejtimin e gabuar,” tha Bryan Comer, drejtor i programit detar në Këshillin Ndërkombëtar për Transportin e Pastër (IÇT), sipas agjencisë së lajmeve Reuters. “Ne vlerësojmë se përdorimi i LNG-së si lëndë djegëse detare prodhon të paktën 120% më shumë emetime të gazeve serrë të ciklit jetësor sesa nafta detare,” shtoi ai.
Në fillim të kësaj jave, ICCT publikoi një raport duke argumentuar se emetimet e metanit nga anijet që përdorin LNG ishin më të larta se sa supozohej nga rregulloret aktuale.
Anija masive e lundrimit ka pajisje për të kënaqur çdo anëtar të familjes, tha Jason Liberty, president dhe CEO i Royal Caribbean Group, përpara udhëtimit të parë të anijes.
“Icon” është e ndarë në tetë “lagje” të veçanta, secila me atmosferën dhe aktivitetet e veta. /sarandacity.al/