Maria nga Volosi e bërë muslimane, ka qenë “çështje dite” në lajmet e medias greke këto ditë.
Fillimisht jo aq pse u konvertua nga ortodoksizmi i trashëguar në Islamin e zgjedhur, por ngaqë përfundoi në gjykatë, ballëpërballë me babain e saj, i cili e rrahu brutalisht. E rrahu pasi ajo nuk pranoi të hiqte shaminë, pasi në shtëpin e tyre do vinte një prift, ftuar nga i ati.
Ky i fundit u dënua nga gjykata me trë vjet burg për dhunën e ushtruar ndaj së bijës, duke qarë e duke kërkuar falje se nuk do e përsëriste më sjelljen e tij brutale.
Maria ka studiuar e punon në Angli. Ajo u kishte bërë me dije prindërve se kishte kaluar në Islam, si për t’i përgatitur për ballafaqimin me të, pasi do kthehej në familje për t’u çmallur me ta, pra me prindërit dhe vëllain e vogël 13 vjeç.
Por i ati nuk e ka gëlltur tranformimin besimor të së bijës që kur e ka parë në kthimin në Volos, duke kaluar në dhunë të shfrenuar ndaj saj deri në dëmtime trupore, duke marrë për këtë arsye një ndëshkim ligjor.
Por e bija ka thënë se e do babanë e saj dhë kërkon ta shohë jashtë hekurave sa më shpejt.
Më pas, media greke ka hulumtuar rreth asaj se si Maria kaloi në Islam, një vajzë 24 vjeçe, madje shumë e pashme.
Ka qenë një tjetër e konvertuar, një 20-vjeçare italiane, ajo e cila ka ngacmuar interesin e 24-vjeçares greke për Islamin.
“Ajo më tha se tashmë po lexonte Kuranin dhe ishte i interesuar të mësonte më shumë,” zbuloi studentja 20-vjeçare italiane, edhe ajo në Newcastle të Anglisë, ku jeton dhe punon Maria.
“Ne u njohëm në universitet në Angli dhe kështu u miqësuam. Filluam të flisnim me njëra-tjetrën dhe më pas ajo filloi të më pyeste për fenë time, sepse i thashë se unë dhe mamaja ime jemi konvertuar në Islam. Dhe ajo filloi të më bënte pyetje se si unë dhe mamaja ime përqafuam Islamin”, tha 20-vjeçarja për Mega-n dhe emisionin Live News ndërsa vijoi duke përmendur interesin e madh që shoqja e saj greke tregonte për Islamin.
“Ajo më tha se tashmë po lexonte Kuranin dhe ishte i interesuar të dinte më shumë se pse gratë duhet të mbajnë shami, për disa rregulla si fjala vjen se pse nuk lejohet konsumi i alkoolite gjëra të tilla. Ajo filloi të mësonte më pas se si të lutej. Pra, si dy të krishtera, unë katolike dhe ajo ortodokse, na bashkoi Islami, pasi jemi tashmë të dyja pjesë e këtij besimi”, tha 20-vjeçarja italiane.
Ajo vijoi më tej duke thënë se “ishte mamaja ime ajo që e para përqafoi Islamin. Ne ishim katolikë në fillim, sepse italianët të tillë janë në trashëgimi fetare. Por ajo nisi të studionte fetë e tjera ku u njoh me Islamin. Më pas vendosi ta përqafojë atë”.
Të dy rejat tashmë jetojnë e punojnë në një mjedis ku shamia nuk është përjashtim, pra siç ndodh në Angli, ku përkundrazi është pjesë e përditshmërisë. /sarandacity.al/