Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në Greqi. Një 33-vjeçar grek i identifikuar si Athanasios Nazos ka qëlluar për vdekje ndaj shqiptarit, Visar Dakrama.
Shkak i kësaj vrasje dyshohet të jetë ngacmimi i një vajze e cila i njihte dy të rinjtë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 6 të mëngjesit në një lokal në Mykonos. Konflikti nisi në lokal, më pas 33-vjeçari grek ka shkuar në banesë për të marrë armën e gjahut me të cilën sapo u kthye në ambjentet e barit qëlloi për vdekje 34-vjeçarin shqiptar.
Pak orë pas krimit, autori i vrasjes ra në prangat e policisë.
Sipas avokates së autorit, Elena Karygiannis, ai ka dëshmuar se: “Vajza ishte në shoqërinë time dhe reagova kur 34-vjeçari shqiptar po e shqetësonte.”
Avokatja theksoi gjithashtu se 33-vjeçari ishte nën efektin e alkoolit gjatë kohës që ka kryer krimin.
Mësohet se Visar Dakrama ishte me origjinë nga Vlora, por prej vitesh jetonte në Greqi. Sipas mediave greke i riu nga Shqipëria kishte blerë një vilë në një prej zonave më luksoze të ishullit.