Një grup shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Shqipëria dhe Italia, kanë mbledhur të dhëna multidisiplinare në dy degë kryesore të Vjosës, në Shushicë dhe Bënccë.
Kjo javë kërkimore është vazhdimi i një nisme të njëjtë të ndërmarrë në Vjosë në 2017, e cila kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në suksesin në ruajtjen e vlerave ekologjike të Vjosës, duke e mbrojtur nga projektet e hidrocentraleve dhe përcaktimin e saj si një zonë e mbrojtur.
Gjatë kësaj jave kërkimore të organizuar nga dy shkencëtarët kryesorë, Prof. Fritz Schiemer (Universiteti i Vjenës) dhe homologu i tij shqiptar Prof. Aleko Miho (Universiteti i Tiranës), ata kishin qëllim të ngjashëm: ndërsa kërcënimi i hidrocentralve në Vjosë është ndalur për momentin, degët e saj kryesore janë ende nën sulm. Pesë HEC-e janë parashikuar në Shushicë, ndërsa Bënça kërcënohet nga jo më pak se tetë HEC-e.
Shkencëtarët shpjegojnë se për të mbrojtur Vjosën është jetike edhe mbrojtja e degëve të saj, pasi unikaliteti i saj qëndron në mbajen e degëve të saj të paprekura dhe të gjithë sistemit lumor.
“Nëse shkatërroni degët e saj, Vjosa do të shkatërrohet gjithashtu, ashtu si trungu i një peme i cili vdes përfundimisht nëse pritni gjithë degët e saj“, thekson Fritz Schiemer.
Për të treguar vlerën e këtyre degëve piktoreske, kërkimi multidisiplinar është thelbësor. Kështu, u deshën 30 ekspertë nga disiplina të ndryshme për të pasur një pasqyrë gjithëpërfshirëse.
“Ne ofrojmë edhe një herë mbështetjen tonë për qeverinë e sapo zgjedhur të Shqipërisë në mbrojtjen e rrjetit unik të lumit Vjosa dhe krijimin e parkut kombëtar të lumit të egër të Evropës. Nëse ndërtohet një digë e vetme, mundësia për ta përfshirë atë në Parkun Kombëtar zhduket”. thotë Prof. Aleko Miho. /sarandacity.al/