Jo në Himarë, jo në Livadhja, por në Derviçan, kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis iu bashkua dhe homologu shqiptar Edi Rama.
Aty, Mitsotakis kujtoi vizitën e babait të tij më shumë se 30 vite më parë.
“Kam premtuar se do të vij t’ju vizitoj para fundit të vitit dhe e mbajta premtimin. Ndaj jam sot këtu me ju në këtë moment shumë emocionues për mua. Nuk mund të mos kujtoj faktin që pikërisht në këtë shesh, pikërisht 31 vjet më parë, ishte dhjetori i vitit 1991, erdhi babai im Konstantinos Mitsotakis. Dhe babai kishte thënë diçka që unë e përmenda dhe kur fola në Livadhja. Ai kishte thënë se ‘minoriteti kombëtar grek është një urë miqësie midis dy shteteve’. Dhe aq sa ishte e vërtetë 31 vite më parë, po aq e vërtetë është edhe tani”, theksoi kryeministri grek duke iu drejtuar banorëve minoritarë që ishin mbledhur për ta pritur.
“Dua ta dini se me kryeministrin Edi Rama kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë”, tha Mitsotakis, duke shtuar: “Ne i dimë çështjet që ju shqetësojnë. Besoj se mund t’i nisim dhe t’i zgjidhim të gjitha në frymën e bashkëpunimit dhe në frymën e vullnetit të mirë”.
“Faleminderit shumë për këtë pritje fantastike”, tha Rama nga ana e tij.
“Natyrisht e gjithë kjo pritje është për kryeministrin Mitsotakis, por nuk ka arsye pse edhe unë të mos përfitoj nga rasti dhe të shijoj këtë pamje të jashtëzakonshme me të gjithë ju të mbledhur në këtë shesh të vogël.
Dua të them se për ne pakica është urë e pazëvendësueshme e lidhjes së pathyeshme mes dy vendeve tona dhe me mirënjohje të madhe dua të përshëndes të gjithë ata qytetarë, si ju, të Republikës së Shqipëria me shtetësi greke, të cilët i kanë dhënë shumë, jo vetëm këtij komuniteti, por edhe vendit”, theksoi Rama. /sarandacity.al/
Thank you for your sharing. I am worried that I lack creative ideas. It is your article that makes me full of hope. Thank you. But, I have a question, can you help me?