Kryeministri i rizgjedhur grek Kyriakos Mitsotakis premtoi se qeveria e re do të “korrigjojë gabimet e së kaluarës”.
Ai tha se në katër vitet e ardhshme do të ulë taksat, do të rrisë pagat dhe pensionet dhe do të shlyejë borxhet e marra për zgjidhjen e falimentimit më herët se sa pritej.
Duke iu drejtuar parlamentit, ai vuri në dukje se këtë vit pensionistët grekë do të marrin dhe një bonu, se do të zgjerohen masat për mbrojtjen e familjeve nga kriza e kostos së jetesës dhe do të rritet pragu i uljes së taksave me 1000 euro për familjet me disa fëmijë.
Vendi më me borxhe në eurozonë
Kryeministri grek tha gjithashtu se paga minimale mujore do të rritet në 950 euro, nga 780 euro që është tani, ndërsa kontributet për sigurimet shoqërore do të ulen për një për qind.
Ai u zotua gjithashtu të ndihmojë Greqinë të arrijë një rritje të forte ekonomike, të rifitojë një vlerësim kredie të shkallës së investimeve këtë vit pas 13 vjetësh dhe të shlyejë kreditë dypalëshe më herët se sa pritej nga marrëveshja e parë e shpëtimit me eurozonën.
Taksa e biznesit të vetëpunësuar do të reduktohej gradualisht.
Mitsotakis deklaroi se Greqia, e cila është ende vendi më me borxhe në eurozonë, mund të arrijë një suficit primar prej dy për qind në vit, pavarësisht masave të lehtësimit. /sarandacity.al/