Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot miratimin nga qeveria të amendimeve në ligjin për vlerësimin e zhurmave në mjedis.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kumbaro tha se ndryshimet në këtë ligj vijnë pas një pune 1-vjeçare dhe si rezultat i punës së bërë gjatë vëzhgimit të sezonit të kaluar turistik, ku një nga shqetësimit e mëdha të bizneseve, operatorët dhe pushuesit ishte ndotja akustike në nivele të larta për shkak të muzikës në lokale, bare, restorante dhe hotele.
Ajo tha se pas miratimit të ligjit në parlament do të ketë një kontroll shumë më të rreptë të tij, fasha orare shumë më të kontrolluara dhe një kompetencë të zgjeruar të Policisë së Shtetit të kontrollit me mjete të certifikuara dhe sipas standardeve të OBSH-së, për ndotjen akustike dhe zbatimin e orareve.
Ministrja bëri të ditur se ndryshimet në këtë ligj u jep një detyrë të re edhe Bashkive të cilat do të kenë detyrimin të përcaktojnë hartëzimin e territorit për të përcaktuar qartë zonat e banuara, zonat të cilat do të jenë krejtësisht të qeta, zonat ku janë larg banesave apo hoteleve familjare dhe ku mund të zhvillohen aktivitete zbavitëse.
Gjithashtu, Kumbaro bëri me dije se do të ketë një ndarje më të qartë të kompetencave edhe për policinë bashkiake, që do të vazhdojë të kontrollojë, por edhe të pajiset me mjete certifikuese kontrolluese të akredituara edhe për llojet të tjera të zhurmave që mund të krijohen nga biznese të ndryshme.
“Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore normale të përditshme do të jenë nga ora 12 e drekës deri në orën 12 të natës dhe në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkitë edhe Policia e Shtetit do të marrë kompetencat për të matur, kontrolluar, monitoruar apo penalizuar aktivitetet ekonomike që nuk i respektojnë këto norma”, deklaroi ministrja e Turizmit. /atsh/