Vetëm pak minuta më parë familjarët kanë ndarë me ne lajmin e kobshëm se zemra e Agim Matos, ndali këtë mëngjes përgjithmonë.
Agim Mato lë pas për ne një trashëgimi të vyer si poet e botues në të famshmen e tij “Milosao”, eksperiencën e themelimit dhe drejtimit të Klubit të Krijuesve “Jonianët”, me sprovën e formatimit të një kanali televiziv “Riviera”, me frymën krijuese e bashkëpunuese në çdo projekt, me ndjeshmërinë prej poeti dhe prej qytetari që në çdo frymëmarrje kishte dashurinë për Sarandën.
Ndarja nga jeta e Agim Matos, pas një sëmundjeje të zgjatur, është për këdo që e njohu dhe e lexoi, një lajm i rëndë dhe trishtues.
Është ndarje nga poeti, nga gazetari, nga sipërmarrësi i orëve të para në fushën e letrave e më pas në fushën e medias, nga qytetari i shqetësuar e i mençur, nga fterrioti i lidhur me fshatin dhe ëndërrimtar për Sarandën e Fterrën, nga autori i mesazheve të mëdha për ta bërë jetën më të mirë e më të bukur, nga një prej Mjeshtrave të Mëdhenj, që Saranda numëron.
“I lehtë dheu, për ty, Agim Mato!”, themi tani që mësuam lajmin e rëndë. U prehsh në paqen që ndërtove me vargun tënd dhe në ëndrrat e tua! /sarandacity.al/