Çështja e plazheve do disiplinohet që në janar-shkurt, pra gati 5 muaj para nisjes së sezonit. Ky ka qenë premtimi i dhënë nga ministrja e re e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Do të ketë një bashkëpunim shumë të ngushtë me bashkitë, ndarje të territorit në rajone monitorimi, krijimin e njësisë suplementare për sezonin e verës dhe planifikimin e stacioneve të plazhit që në dy muajt e parë të vitit.
Puna për organizimin e sezonit të ardhshëm turistik në bregdet ka filluar”, theksoi ajo në fjalëmbajtjen e saj në Kuvend, gjatë programit të ri qeverisës.
Kujtojmë se ajo çfarë u vu re në fillim të këtij sezoni në ikje, ishte që plazhet nuk nisën të ndahen në qershor dhe korrik, gjë që solli tensione dhe incidente, deri dhe tragjedi, siç qe ajo e Velipojës me katër jetëhumbje. /sarandacity.al/