Policia e Sarandës arrestoi një adoleshent nga Lushnja nën akuzën e pedofilisë me një të mitur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë ndalimin e shtetasit F. A., 19, banues në fshatin Karbunarë e Madhe, Lushnjë, sepse dyshohet se ka kryer vepra të turpshme me një shtetase të mitur 14 vjeçe”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Po aty raportohet për një sherr në Borsh e një serial vjedhjesh në Jalë, që fundin e ka patur me arrestimin e autorit, një shtetas nga Kosova.
Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Dashos’, në Borsh, ishte goditur me mjete të forta shtetasi A. S., menjëherë në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë, të cilat bënë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar.
Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale, nga specialistet për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar, shtetasit N. P., 51 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi M. P., 36 vjeç, të dy banues në Borsh.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njeri tjetrin, gjatë një konflikti për motive të dobëta kanë goditur me mjete të forta, shtetasin A. S., 30 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’, kryer në bashkëpunim.
Po nga specialistet për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. M., 24 vjeç, banues në Kosovë, pasi mbrëmjen e djeshme, në Jalë, Himarë, është kapur në flagrancë duke vjedhur telefonat dhe portofolat e dy shtetasve”. /sarandacity.al/