Kandidati për deputet i mazhorancës Niko Kuri, ishte në Delvinë, ku, më së pari vlerëson delvinjotët, e së dyti kërkon që ky qytet të rilind me punësim dhe nga puna.
“Delvinjotët, këta njerëz punëtorë dhe të talentuar meritojnë kujdesin e shtetit, se qyteti i tyre me histori dhe kulturë të pasur ofron shumë pak mundësi për punësimin e tyre.
Në bashkëbisedim me kryetaren e Bashkisë, zonjën Majlinda Qilimi dhe në prani të një grupi qytetarësh të nderuar parashtruam disa nga variantet e hapjes së fronteve të reja të punës.
Në këtë qytet ka shumë artizanë që përbëjnë bazën e krijimit të bërthamës që mund të zhvillojë biznesin artizan por edhe biznese të tjera që mund të shtojnë të ardhurat e familjeve të nderuara delvinjote”, shkruan mjeku Kuri, tashmë në sfidën e madhe politike të të qënit dhe deputet.
Ai ishte dhe në Aliko, ku shprehu të njëjtën gjë: “Në Aliko zhvilluam një bisedë të ngrohtë me të moshuar dhe të rinj, të cilët përveç të tjerash shprehën besimin se do t’u ndodhem si më parë edhe për shëndetin por edhe për problemet e tjera të përditshme.
Nuk mund t’i braktisësh këta njerëz kursesi pasi vetëm dashuri dhe respekt rezatojnë. Në kushtet e vështira u familjarizuam dhe tashmë i ndjejmë si prindërit dhe vëllezërit tanë.
Zoti na dhëntë fuqi t’i ndihmojmë në çdo përballje të jetës së tyre!” /sarandacity.al/