Nga Auron Tare
Megjithëse ka kaluar një kohe relativisht e gjatë dhe dëshmitaret tashmë janë shume të pakët, zbarkimi i trupave britanike në gjiret e Sarandës është një temë që akoma edhe sot ngjall mjaft interes tek publiku. Dëshmive të pakta që kanë mbërritur deri më sot mbi këtë sulm të rralle të forcave komando në territorin shqiptar i vjen edhe një zbulim befasues nga arkivat britanike. Për herë të parë, nga këto arkiva mësojmë se pjesë e rëndësishme e sulmit komando në tokën shqiptare është kryer nga trupa parashutiste asiriane dhe kurde.
Në fakt, në ushtrinë britanike kishte një larmi trupash ushtarake të cilat vinin nga territoret e shumta të Perandorisë. Historia e rrallë e trupave asiriano-kurde që luftuan në malet e jugut shqiptar, është një histori e patreguar kurrë.
Asirianët, një komunitet kristian ne Irakun Verior dhe Sirinë Veriore, te cilët kanë ruajtur gjuhën e tyre aramaike dhe ritualet fetare te periudhës se lindjes se Krishtërimit, janë një prej popullsive më të vjetra të Mesopotamisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, territoret irakiane ishin nën kontrollin britanik, të cilët kishin një influencë shumë të madhe në këtë zonë. Me fillimin e Luftës së Dytë, në ushtrinë britanike u mobilizuan shumë vullnetarë të kolonive perandorake dhe, në këto forca u mobilizua edhe një Komani shumë e veçantë.
Kompania Asiriane u krijua ne Habbanyia, Irak me iniciativën e britanikëve në 6 janar të 1942 me vullnetare të skuadrës se Forcave Ajrore RAF me mision ruajtjen e rrugëkalimeve strategjike në Kaukaz. Kjo kompani ishte në fakt ideja e Komandantit të Forcave Ajrore të Irakut, zëvendësMareshali Hugh De Crespigny, i cili mendonte se një kompani me trupa parashutiste vendase do te ishte në gjendje te ngadalësonte përparimin e trupave gjermane në këto territore.
Oficerët britanike filluan përgatitjet e kësaj kompanie. Mbi 1000 rekrutë dolën vullnetarë por pas një stërvitje speciale vetëm 200 persona u rekrutuan. Kjo kompani përbëhej nga 150 asiriane dhe 50 kurdë, të cilët komandoheshin nga Majori britanik Barnes. Kompania qëndroi ne territoret irakene si pjesë e ushtrisë britanike deri në shtator 1943, kur iu atashua batalionit parashutist të 11 në Palestinë. Këtu ata u trajnuan për operacione speciale natën.
Në shkurt 1944, Kompania u rikthye ne Habbaniya Irak nën komandën e një tjetër oficeri britanik, Majori Guy Hudson, i cili ishte specialist i luftimeve malore.
Në shtator të 1944, gjatë qëndrimit në Palestinë, një oficer i trupave asiriane ishte vrarë nga milicia izraelite. Të egërsuar nga ky lajm, kompania asiriane filloi një masakër të vërtete kundër trupave izraelite të cilat ishin në atë territor. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Kompania asiriane u dërgua ne Itali dhe kjo force ju bashkëngjit trupave komando britanike HUNDEFORCE.
Operacioni Sugar Beach Albania
Në 6 tetor 1944, kompania asiriane filloi zbarkimin ne Sugar Beach, një gji ranor disa kilometra ne veri të Sarandës me anë të anijeve zbarkuese.
Plani i zbarkimit në Sarandë nga komandot britanike të Operacionit HOUNDFORCE ishte kapja e qytetit. Komandot dhe përtizanet do të sulmonin nga Veriu, ndërsa parashutistët do të zbarkonin me anijet zbarkuese në Jug dhe të sulmonin duke marrë pikën dominuese prej nga ku dukej Saranda.
Përpara zbarkimit, oficerët e kompanisë bënë një rekonicion të zonës së Sarandës por ranë nën zjarrin e mortajave gjermane. Oficeret pasi përgatiten trupat për zbarkim filluan lëvizjen me 6 anije të vogla zbarkuese.
Në mëngjesin e 9 tetorit, në orën 01 30 kompania pasi u rreshtua dhe mori një racion ekstra rumi, filloi zbarkimin. Rreshteri Hormis Youkhana shkruan:
“Anija transportuese na la në zonën e plazhit shumë afër qytetit të Sarandës. Qëndruan gjithë ditën ne ketë pozicion. Ditën e dytë skuadra ime i zuri pusi dy makinave gjermane. Ditën e tretë, anijet transportuese na morën përsëri duke na zbarkuar në një plazh rreth dy orë më larg pozicioneve gjermane.
Prej këtu na erdhi urdhri për sulm. Kur filluam sulmin ishte në fakt një ngjitje malore. Komandanti ynë na udhëzoi të ruheshim pasi do të na godisnin me mortaja. Tek ai po fliste, filluan të fishkëllenin predhat e mortajave por pa dëme. Ne po avanconim shumë shpejt, si dhitë e egra, dhe ju dolëm gjermanëve shumë shpejt pas shpine.
Dy vetë nga skuadra ime u vranë atë ditë.
Zbarkimi vazhdonte në qetësi të plotë. Binte një shi i vazhdueshëm i cili na ndihmonte që të mos dukeshim nga gjermanet. Ndërkohë, skuadra e dytë dhe e tretë po rrethonin armikun në një pozicion drapri. Në këtë moment pamë se nuk na kishin dhënë radio me vete dhe e kishim të pamundur komunikimin me skuadrat e tjera. Kjo na kushtoi shumë, pasi patëm shume të plagosur.
Kapiteni Klark u nis vetë për tek skuadrat e tjera për t’u dhënë udhëzime se nga të drejtoheshin.
Ishte një situatë e vështirë dhe maja ishte shumë e lartë, plot me shkëmbinj dhe gurë që na rrokulliseshin nëpër këmbë.
Gjysmë orë pas manovrës sonë, një mitraloz gjerman hapi zjarr në krahun tonë të majtë. Skuadra e parë ju përgjigj duke e vrarë mitralierin dhe kapur disa robër. Për ta kuptuar se sa i vështirë ishte ky sulm, duhet parasysh se gjermanët kishin pasur shume kohe për të hapur fortifikata. Ata na shikoni nga sipër dhe e kishin shumë lehtë për të na qëlluar.
Në orën 5 te mëngjesit, skuadra e dytë sulmoi një pozicion gjerman i cili u dorëzua i gjithë tek asirianët. Skuadra kurde sulmoi një tjetër pozicion dhe pas një rezistence te shkurtër i vrau te gjithë gjermanët që ishin atje. Pas një gjysme ore, kompania e kishte arritur objektivin”. /sarandacity.al/