Nëse ka një dekorim më meritor prej aradhës së dekorimeve të presidentit Meta ç’prej kur është në krye të shtetit, është ai ndaj bankerit delvinjot Andon Vasili.
Ndërkohë, nëse Delvina kërkon dhe një krenari më shumë për emrat që ka nxjerrë në çdo fushë, në çdo kohë, ky do qe Andon Vasili.
Është i rrallë në llojin e vet, pasi të tilla i ka dhe gjurmët që ka lënë.
Eshtë prej atyre burrave që, në pamje të parë, prej natyrës së përkorë, gati delikate – njeri i lapsit, shifrave – të impresonojnë vetëm me etikën, edukatën, formimin, zellin profesional, por që në situata të jashtëzakonshme, ato shfaqin atë kredo morale, të cilat i çojnë drejt akteve heroike, aq sa për të bërë historinë.
Kështu ndodhi me Andon Vasilin atë tmerr të 97-ës, ku ai, me jetën në tehun e vdekjes, u shndërrua nga një intelektual, nga një zyrtar i kollarisur, në një kaçak mali për të shpëtuar milionat e shtetit, pasurinë financiare të popullit.
Në mos të fuste duart në kartmonedhat kapicë, mund thjesht t’i ishte shmangur asaj që bëri, në emër të të shpëtuarit të kokës.
Por jo, pasi është dhe çështje soji. Eshtë pikërisht ky soj që i mungon sot përgjegjësisë shtetërore dhe publike.
Një soj në zhdukje, ç’trishtim!
Sot shoqëria jonë ka nevojë ulëritëse për këtë soj, të aftë, të moralshëm dhe elegantë në sjellje. Sidomos të dytat.
Ka nevojë sidomos Delvina e tij, me soj të sosur, së paku për t’i patur si frymëzime, në një shkrettirë aktuale për të aftë, të mençur e të moralshëm! /sarandacity.al/