Haki Spaho lindi në 28 tetor të vitit 1953 në qytetin e Korçës.
Ka filluar aktivitetin e tij artistik në vitin 1964, ku për herë të parë u zbulua mes shumë fëmijësh dhe u aktivizua nga regjisori Thoma Milaj në një premierë me tematikë për fëmijë.
Pas kësaj premiere u aktivizua pranë estradës profesioniste të Sarandës e në vazhdimësi në të gjitha premierat e tjera që kjo trupë vuri në skenë.
Në vitin 1967 filloi punë si mekanik në Parkun Automobilistik të Sarandës, duke mos u shkëputur si amator nga trupa e estradës.
Një vit më vonë, në takimin kombëtar të organizuar në Durrës, me pjesëmarrjen e parqeve automobilistike të vendit, për interpretim me nivel artistik nderohet nga juria me medaljen e klasit të parë.
Haki Spaho ka qenë një nga interpretuesit e parë në Teatrin e Kukullave të Sarandës qysh në krijimin e saj.
Në moshën 17 vjeçare, dhuntitë e tij prej aktori komik të shpërfaqura në premierat e estradës i aktivizuar si amator, i dhanë mundësinë që në vitin 1969 të pranohet si aktor profesionist në këtë estradë, ku punoi deri në vitin 1971, vit që u shkëput për të kryer shërbimin ushtarak në Tiranë.
Atje i krijohet mundësia të punojë përsëri si aktor pranë Estradës së Ushtarit. Pas mbarimit të shërbimit ushtarak, rikthehet si aktor në trupën e Estradës së Sarandës, deri në daljen në pension në vitin 2018.
Haki Spaho ka qenë nga aktorët më të aktivizuar në këtë trupë. Rolet e interpretuara prej tij janë mbi 100, në skeçe, kuplete, parodi, dialogë, monologë, skeçe të muzikuara, komedi muzikore dhe krijime të tjera të gjinisë së estradës, duke krijuar me dhjetëra figura artistike që kanë mbetur në kujtesën e spektatorëve. Karakterizohej nga zhdërvjelltësia plastike dhe temperamenti. Ka krijuar karaktere të veçanta falë aftësisë së shndërrimit të shpejtë nga roli në rol. Orientohej mirë ndaj figurave që vinin nga shtresat e rëndomta sociale si dhe njerëzit me vese, duke shfrytëzuar instinktin e tij si aktor komik.
Përveç roleve të vogla të natyrës së varietesë, ka mishëruar edhe disa role në drama e komedi të vëna në teatrin amator të qytetit dhe në trupën e estradës profesioniste të Sarandës, si Dautin në komedinë “Me plot Dëshirë” të Enver Isufit, plakun te komedia “Alarm në postëkomandë” të Enver Isufit, Sifin te komedia “Flokë dëbore në prill” të Pëllumb Kullës dhe Enver Isufit, Poçarin te drama “Monserati” e Roblesë, Shën Pjetrin-Taren-Gabrielin te komedia groteske “Ëndërr apo zhgjëndërr” të Josif Papagjonit, ku spikati për aftësinë e tij të përshtatjes në disa figura e karaktere njëherësh, me kalimet e shpejta nga situata në situatë dhe nga digresioni në digresion, duke ruajtur vijueshmërinë dhe kohezionin artistik të personazhit brenda kompleksitetit dhe dimensionit të shumëfishtë në ndërtimin e tij.
Ka luajtur edhe në disa drama, ndër to “Luani i shtëpisë”, “Djem të mbarë”, “Në udhën e jetës”, “Të pamposhtur”, duke ravijëzuar figura me bartje komike dhe humoristike, që dallonin për gjallërinë plastike, detajet domethënëse, origjinalitetin dhe të veçantat e tyre.
Haki Spaho ka qenë një aktor simpatik i roleve të veçanta dhe jetëgjata në skenë. Ndërkohë, me njohjen dhe përvojën e grumbulluar në teatrin e estradës, ai ka shkruar edhe materiale për shfaqje të ndryshme dhe ka bërë regjinë e disave prej tyre.
Për kontributin e dhënë si aktor në realizimin e qindra roleve në Estradën Profesioniste, në vitin 2012 nga Presidenti i Republikës ia akordua medalja “Naim Frashëri i Artë”. /sarandacity.al/
Shkruar nga: Vangjel Agora, Regjisor i Estradës Profesioniste Sarandë