Tranzicioni politik ka sjellë pasoja të konsiderueshme në jetën urbane dhe kohezionin social ne qytetet shqiptare. Në këtë shkrim do të përpiqemi që nëpërmjet prizmit të të ashtuquajturës sociologjia urbane, të shohim zhvillimet qe ka pësuar jeta urbane nw qytetin e Sarandës.
Qysh në krye të herës, sociologw të njohur si Ibn Haldun, Max Weber apo Emile Durkheim dhe me pas e ashtuquajtura shkolla sociologjisë e Çikagos, kanë sjellë në vëmendje të studiuesve faktin sesi urbanizimi jo vetëm ndikon në strukturën sociale të shoqërisë por dhe sesi ai është një reflektim i pasojave të shtresëzimit të shoqërisë si rezultat i cilësisë së shtetit ligjor.
Sipas kësaj teorie shoqëria ka një lidhje organike me strukturën urbane duke e parë atë si një simbol të qeverisjes në nivel qendror dhe vendor, e cila interpretohet prej saj në një kontekst politik dhe kohor të caktuar.
Këto simbole urbane shenjojnë sjellje dhe orientojnë veprime të cilat ju japin formë komuniteteve të caktuara, zonave rurale si dhe qyteteve. Simbolet urbane më pas kthehen në atë që Pierre Bourdieu e quan kapitali i simboleve, i cili nënkupton se nëse simboli urban ose krahinor ka valencë politike apo kulturore ai mund të përdoret nga ai që e mbart si një avantazh ndaj pjesës tjetër të shoqërisë.
P.sh. gjatë komunizmit, kapital social do të ishe prejardhja nga qyteti i Gjirokastrës apo dhe Vlorës duke qenë se shumica e byrosë politike ishin nga kjo zonë e vendit. Nga ana tjetër, me ndryshimet politike të pas viteve 90-të kur Tirana u kthye në qendrën e zhvillimit ekonomik duke rritur ndjeshëm prurjet nga qytetet e tjera të vendit, të qenurit “tirons” autokton u kthye në një aset social dhe në një kapital simbol i cili do të reflektohej në marrëdhëniet kryesisht private pronësore dhe familjare.
Saranda
Saranda akoma nuk po arrin të gjejë mundësinë për të kultivuar ato vlera të cilat e kthyen atë në një qytet turistik në kohën e errët të diktaturës ku komunizmi e kishte konceptuar në një burg natyral. Tranzicioni e gjen Sarandën në versionin më të keq urban sipas koncepteve postmoderne.
Në Britaninë e Madhe, ku ndjeshmëria mbi mbrojtjen dhe ruajtjen e karakteristikës dhe tradicionales, Owen Hatherley, qasjet e reja të ndryshimeve që do të pësonin qytetet britanike do t’i quante si një arkitekturë brutale, e cila sipas tij do të ishte “fundi i zemëruar” i modernizmit i cili nuk ishte kurrë, aq sa disa do të preferonin të ishte, një stil i thjeshtë estetik. Ishte një estetikë politike, një qëndrim, një armë, kushtuar parimit që “asgjë nuk ishte shumë e mirë për njerëzit e zakonshëm”.
Sigurisht do të ishte amatorizëm të bësh krahasime të pakrahasueshme midis një qyteti britanik dhe Sarandës në lidhje me të keqen që urbanizimi postmodern i ka sjellë kohezionit social të qytetit. Por hakërimi i Hatherley mund të konsiderohet i gjetur edhe për Sarandën e tranzicionit ku estetika urbane nuk ka asnjë lidhje apo ndjeshmëri për qytetarin e thjesht, lëre më pas pushuesin.
Komunizmi
Shoqëria në Sarandë nuk do t’i shpëtonte dot trajektores se të keqes së komunizmit shqiptar. Kohezioni social orientohej drejt ideologjisë. Paçka se evokohej familja dhe vlerat morale që lidheshin me të, ideologjia do të ishte supervlera që do të krijonte superioritet shtypës mbi çdo lloj kapitali qoftë atij kulturor apo simbolik sipas interpretimit të Bourdieu.
Në këtë kontekst, ato që bënin Sarandën komuniste tërheqëse ishin më shumë të lidhura me natyrën, me pjesën arkeologjike të qytetit dhe pak me shoqërinë.
Së pari, Joni magjepsës që vinte si një shpërblim i lodhjes pas një rruge të gjatë nga Tirana në vapën rraskapitëse të verës me autobusët e kohës pasi kaloje kthinat e tmerrshme të Ballshit dhe Muzinës.
Ndërkohë arkitektura e Sarandës, një qyteti të shtrirë në një gji me distancë jo më shumë se 1000m në vijë ujore nga porti deri tek Hotel Butrinti, nuk ndryshonte shumë nga qytetet e tjera të kohës.
Shumica e ndërtesave ishin jo më shumë se 3-4 kate, ku në disa prej tyre përveç ndërtimit me tullë dhe parafabrikat, kishte disa shtëpi të vjetra të cilat karakterizoheshin nga ndërtimi me gur.
E rrethuar nga kodra më një terren shumë të vështirë dhe të thatë, zhvillimi urban ishte shumë i ngadaltë. Deri në fillim vitet 90-të lagja e fundit e ndërtuar ishte e ashtuquajtura “Lagja Amerikane”. Kjo e fundit dukej si një profeci e ndryshimit politik që po afrohej dhe në Sarandën e largët interpretimet e ndryshimeve të shumëpritura politike shiheshin në çdo ndërtesë që dilte sadopak nga stili tipik i kohës.
Duke qenë një qytet kufitar, infrastruktura urbane i përgjigjej në një fare mënyre edhe profilit të një kategorie të tillë qyteti që lejonte një kontroll të kufijve ujorë pa shumë kosto nga shteti komunist.
Përveç manipulimit të natyrës për qëllime survejimi, shërbimi sekret i kohës, ish-Sigurimi, kishte arritur të ndërtonte një rrjet informatorësh të cilët mendohet të ishte me i larti për numër popullsie krahasuar më çdo qytet tjetër të vendit.
Bregdeti dhe sidomos gjiri i Sarandës monitorohej në fund vitet ‘90 nga dy motoskafë të mëdhenj policie dhe një projektor përgjatë gjithë natës. Edhe shoqëria në një farë mase i ishte përshtatur kësaj tipologjie qyteti ku çdo kush e konsideronte veten përgjegjës për të evidentuar dhe denoncuar të paligjshmin, shkelësin e vijës së partisë, atë që kërkonte të arratisej jo vetëm nga vendi por dhe nga ideologjia e tij. Në fakt, në mënyrë të heshtur “ruajtja” e kufijve nga populli ishte mjeti më i fortë lidhës i shoqërisë si në çdo qytet të ngjashëm të vendit. Kjo lloj qasje e kthente qytetin në një farë “burgu” të bukur natyror ku si banorët por dhe turistët vendas i kishin të qarta dhe shumë mirë të përcaktuara lëvizjet dhe vendet ku mund të pushonin.
Sidoqoftë, dhe pse e konceptuar si një burg natyral i hapur, Saranda kishte arritur që përsëri të ishte një ndër qytetet me tërheqëse të jugut. Madje pushimet në Sarandë do të konsideroheshin pushime elitare dhe një ndër qytetet kur shumica e çifteve do të kryenin muajin e mjaltit.
Përveç bregdetit magjepsës, do të kishte pak gjëra për të cilat Saranda do të dallonte dhe do të krijonte veçantinë e saj si buka 40 lekëshe, ullinjtë, fiqtë e detit dhe midhjet e Butrintit.
Tmerri më i madh ishte vapa mbytëse që karakterizonte Sarandën e cila bëhej edhe me problematike gjatë darkës dhe mungesa e ujit të pijshëm. Shumica e familjeve mikpritëse sarandiote do ta zgjidhin larjen nga uji i kripur për pushuesit duke ju ofruar atyre ujë në fuçi.
Megjithëse numri i plazheve ishte i limituar, ato ishin orientuar sipas tipologjisë së pushuesve.
Plazhi i Ri dhe Centrali do të populloheshin kryesisht nga pushues që vinin nga qytetet e mëdha.
Ndërkohë, vendasit e kryenin plazhin përgjatë bulevardit midis Limanit dhe Plazhit të Ri duke ju dhënë kështu prioritet “miqve”. Rinia preferonte pllakat pasi përveç pamjes mahnitëse, blusë së fortë të Jonit e cila përthyhej në bardhësinë vezulluese të pllakave, ky plazh do ofronte privatësinë dhe lirinë aq shumë të kërkuar nga rinia.
Radiot Iliria, përveç shikimit me sy të lirë të ishullit të Korfuzit, do të ishte një ndër të paktat mjete apo vende ku mund të komunikoje dhe prekje Perëndimin.
Saranda komuniste luante dhe rolin e një marketingu kulturor përballë Perëndimit, duke pasur fatin e madh e të pasurit të një prej parqeve arkeologjike me të mëdhenj të vendit si ai i Butrintit. Për këtë arsye, Saranda kishte Kampin e saj të Punëtorëve nga më të bukurit për kohën dhe një hotel elitar si Hotel Butrinti, i cili ishte i populluar kryesisht me ata pak turistë që vizitonin Butrintin. Pasditja në Sarandë do të karakterizohej nga “xhiro” e cila nuk ndryshon edhe sot përgjatë bulevardit që shtrihej nga Plazhi i Ri deri tek Hotel Butrinti. Bar kafet tek “Magllara” dhe “Limani” do të ishin vendet kryesore ku mund të konsumoheshin akullore cilësore.
Të gjitha institucionet kryesore përfshi muzeun, hotelin, plazhet dhe bulevardi shtriheshin të gjitha në një distancë jo më të gjatë se 700m gjatësi lineare duke ju mundësuar kështu autoriteteve të kohës të kishin në kontroll çdo gjë.
Përveç bukurisë natyrore në Sarandën komuniste, ato që spikasnin ishin mikpritja e qytetarëve të saj, qetësia dhe siguria. Përbërja heterogjene e qytetit do të shkrihej në një në reflektimin e këtyre cilësive. Rinia e Sarandës, apo “saranditët” siç preferonin ata t’i quaje, do karakterizoheshin nga njerëz ambiciozë, të turpshëm, të sjellshëm dhe mbi të gjitha nxënës të shkëlqyer. Në Sarandë mund të gjeje folësit më të mirë të gjuhës angleze, kjo edhe për faktin e punës dhe pasionit të dy apo tre mësuesish të gjuhës angleze cilësor të gjimnazit të qytetit.
Kohezioni social i qytetit ishte një mpiksje e mikpritjes sezonale, frikës dhe detyrimit të qytetarëve për të mbrojtur kufijtë ujorë një hap larg Perëndimit.
Demokracia
Por Saranda e tranzicionit është diçka tjetër. Rrënimi i kohezionit social reflektohet egërsisht në katastrofën urbane që vazhdon ta mbajë këtë qytet në agoni. Që pas viteve 90-të Saranda vazhdon të duket si një kantier ku spikasin prishjet dhe rregullimet e vazhdueshme të rrugëve dhe bulevardit kryesor.
Qyteti karakterizohet nga një mungesë simetrie në ndërtime.
Vetëm duke parë stilin, lartësinë dhe llojet e ndërtesave kupton se çdo qeverisja bashkiake ka vepruar me qytetin me një qasje kolonizuese duke e trajtuar atë si një plaçkë lufte politike duke vrarë besimin e qytetarit tek shteti.
Ndërtimet janë kryer pa pasur asnjë ndjeshmëri kulturore apo historike për qytetin dhe perspektivën e tij. Në këtë qytet është ndërtuar duke menduar që qyteti i ka ditët e numëruara. Paçka se është një ndër qytetet më të reja shqiptare, në Sarandën e tranzicionit është investuar si për një qytet në zhdukje dhe pa perspektivë. Qytetit i është vrarë buzëqeshja dhe kohezioni social. Tashmë nuk ka më qytetarë të Sarandës por vetëm banorë që banojnë në të.
Saranda është shtrirë përgjatë gjirit të saj duke zhdukur përfundimisht “pllakat” e famshme të bregdetit të cilave ju ka mbetur vetëm një tabelë që vetëm një “sarandit” i stazhionuar mund ta gjejë dhe ta lexojë diku në përtej portit.
Mungesën e ndjeshmërisë sociale do ta lexosh edhe tek dublimi i të bukurës me të shëmtuarën. Në vijën e parë të Sarandës së “vjetër”, pranë limanit do të gjesh patjetër ndonjë ndërtesë të papërfunduar si rezultat i kontradiktave brenda familjes për çështje pronash. Ndërtimet e reja nga rruga e parë deri tek rruga e tretë e qytetit kanë mbytur çdo ndërtim të vjetër dhe lënë në rrënim ato pak vila karakteristike me gur që kishte qyteti. Rinia në qytet mungon. Shikon vetëm moshën e tretë e cila vrapon me një tabelë në dorë ku shkruhet “dhoma me qera”, e cila tashmë është kthyer në simbolikën më të fortë të qytetit gjatë sezonit turistik.
Të bën përshtypje se shumica e bizneseve të vogla drejtohen nga gratë, të cilat i gjen në çdo sektor dhe në çdo pozicion pune pa pasur asnjë lloj kompleksi.
Nëse Saranda komuniste i ngjante një burgu natyror kjo e demokracisë i ngjan një “dhomë me qera” ku njerëzit vijnë dhe ikin dhe ku shpirti mikpritës i qytetit është zvetënuar.
Një tregues tjetër i rrënimit të koshiencës sociale është qarkullimi në qytet dhe grindjet e vazhdueshme me “pronarët” e dhomave me qera të cilët e kanë kthyer publiken në një farë mjeti dhune ndaj pushuesve.
Jo pak herë do të gjesh pronarë “dhomash me qera” të cilët do të të bëjnë policimin e parkimit përpara se të parkosh makinën duke verifikuar fillimisht nëse je klient i tyre. Në të kundërt do të hasësh vështirësi për të parkuar.
Të vetmet institucione ku mund të mendohet se kohezioni social ka një muskul me të fortë janë xhamia dhe kisha, të cilat janë të vetmet të cilat i mbledhin besimtarët e tyre për diçka përtej personales.
Koshienca sociale është dobësuar edhe nga mungesa e qytetarëve të “vjetër” të Sarandës.
Ata shumë saranditë të cilët kanë emigruar, kryesisht në Greqi, nuk e gjejnë më vetën në qytet duke e zhbërë kështu identitetin social të qytetit.
Tani “saranditët” janë në minorancë.
Sidoqoftë natyra e Sarandës ngelet vezulluese dhe paçka mosintegrimit të pasurive të saj arkeologjike dhe natyrore, ajo vazhdon të jetë një ndër perlat e jugut të vendit.
Akoma ka qytetarë në qytet të cilët i japin pulsin qytetit dhe përpiqen t’i përkthejnë avantazhet natyrore të Sarandës në një mjet tërheqës për të turistët vendas dhe të huaj.
Për meritë të tyre është arritur që Saranda të ngelet një nga destinacionet më të preferuara në vend nga pjesa nordike dhe lindore e Evropës.
Nga ana tjetër ka një rritje të iniciativave qytetare të cilat po aktivizohen duke rritur ndërgjegjen qytetare, siç janë ato qe lidhe me pastrimin e bregdetit dhe ringjalljen e karakteristikave të tij qoftë edhe me mbjelljen e lules karakteristike të qytetit siç është bukenvila që mendohet të jetë sjellë nga Turqia në Sarandë nga Naim Frashëri.
Shqetësuese është që urbanizimi i pas viteve ka pasoja gati të pakthyeshme qoftë për kohezionin social por dhe për të ardhmen ekonomike dhe sociale të qytetit. Në këtë kontekst, ky ilustrim mjaft sipërfaqësor i keq urbanizmit të një qyteti të vogël si Saranda tregon se sa i rëndësishëm është urbanizmi dhe kohezioni social për të ardhmen e shoqërisë. /sarandacity.al/
Marrë me shkurtime nga autori Fabian Zhilla – “Të papriturat e të pritshmes”, Revista Medius nr.11, 2020.