Një intervistë e dhënë nga kandidati i PS-së për Bashkinë e Sarandës, Oltion Çaçi, e vetmja deri më tani përgjatë kësaj fushate, ka dalë më në pah vizioni i tij qeverisës i qytetit.
Ai synon një kombinim të investimit infrastrukturor dhe kurimit estetik, si për ta bërë qytetin më lehtë të vizitueshëm e aksesueshëm e si për t’ja hequr një lloj shëmtie që nuk i shkon për shkak statusit të tij si “turistik”.
“Nevoja urgjente për parkingje publike për stinën e verës, stacioni i autobuzave ndërqytetas në hyrje të Sarandës, zgjerimi i pedonales deri në Kanalin e Çukës, hapja e rrugëve të reja lidhëse në zonën Hotel Butrinti – Kanali i Çukës, për të shkrifëruar trafikun, janë prioritet kryesore për të cilat kam fjalën e qeverisë.
Më tej, qyteti duhet të ndryshojë pamjen e tij duke shtuar gjelbërimin, duke imponuar çdo pallati një hapësirë gjelbërimi të detyrueshëm dhe duke i dhënë Sarandës një identitet që lidhet me një qytet të gjelbëruar dhe jo një fasadë betoni, sic duket nga deti”, shprehet Çaçi, duke vënë kështu “gishtin mbi plagët” e Sarandës.
Këtë “gisht në plagë” ai e vijon dhe me të tjera aspekte të ndjeshme, siç është sezoni i shkurtër turistik.
Ai premton se do e zgjasë, duke marrë si model biznesin e tij – Resort Flower – në Golem.
“Zgjatja e sezonit është sfida ime personale. Ma lini mua këtë dhe më kërkoni llogari pas katër vitesh. Është një gjë që di ta bëj e kam provuar. Kur zhvendosa biznesin në Golem gjetëm vendin më të keq që ishte, pasi të tjerët ishin zënë dhe gjetëm një sezon plazhi që kufizohej vetëm korrik gusht dhe në dimër nuk gjeje dot as kafe hapur.
Sfiduam mentalitetin duke mbajtur hotelin 12 muaj hapur dhe u kthyem në pikë referimi dhe model zhvillimi për zonën.
Do ta bëj këtë me kolegët e mij të hotelerisë në Sarandë me një plan të qartë menaxhimi që Saranda të mos i ngjaj një ariu që fle në dimër e zgjohet disa muaj në verë.
E kam sfidë personale dhe di ta bëj këtë.
Sfidën e infrastrukturës e kam me kryeministrin Edi Rama. E kam pranuar këtë sfidë duke marrë mbështetjen e tij për një vëmendje të posaçme për Sarandën”, shprehet ai.
“Plaga” tjetër ku “vë gishtin” është Bashkia, ajo ndaj së cilës biznesi nuk është i kënaqur, pikërisht prej sorollatjes deri në lodhje që u shkakton prej zvarritjeve e burokracive.
“Problem që kanë qytetarët dhe operatorët me Bashkinë si institucion në tërësi, duke e parë deri më sot nga ana e biznesit, është që Bashkia nuk ofron, por madje të frenon në kërkesat e tua. Duke e kthyer Bashkinë nga një institucion frenues në një shtëpi që ofron dhe ide dhe mundësi për biznesin, ndryshon dhe qasja e qytetarëve në raportet e tij me pushtetin”, është premtimi i Olti Çaçit.
Tjetër vënie “gishti mbi plagë” është një njollë shoqërore që Saranda e ka i duhet hequr, një lloj vogëlsie njerëzore apo meskiniteti njerëzor, ku nuk shihet asgjë tej një interesi personal apo xhelozie të ulët. E gjitha kjo, që qyteti të identifikohet me të bukurën e saj, avantazhet, e jo shejtanllëkun njerëzor.
Këtë jep të nënkuptuar njeriu më i mundshëm për të pasuar Adrian Gurmën në krye të Bashkisë teksa përcjell përshtypjet nga takimet e shumta me njerëz të thjeshtë:
“Kur i takon personalisht, pa ngarkesën e pushteti dhe bisedon me ta, ti njihesh me një Sarandë tjetër që s’ka asgjë të përbashkët me letrat anonime, helmin e portaleve dhe rrjeteve sociale dhe akoma më shumë intrigat e vogla për pushtet. Ky është qyteti me më shumë diell i Shqipërisë dhe nëse do të jetosh shëndetshëm jeto me qytetin, në diell, jo skutave”, përfundon Olti Çaçi. /sarandacity.al/