Duket se ky pallat në Sarandë po tenton të hajë shumë koka, ndonëse në nivele të ulëta e jo te vendimmarrja.
Kështu, godina në ndërtim që ka çuar pas hekurave një zyrtare të Bashkisë, pikërisht Romina Pulajn, Kryeinspektore në IKMT-në lokale, ka çuar dhe shpalljen në kërkim të dy shtetasve të tjerë pos ndërtuesit Pando Papuçiu.
Ata janë vartës të 31 vjeçares.
“Në vijim të operacionit policor të koduar ‘HESHTJA’, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve pa leje në qytetin e Sarandës, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë bënë shpalljen në kërkim të shtetasve M. A., 30 vjeç, dhe N. J., 26 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë Inspektor në Inspektoriatin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, pranë Bashkisë Sarandë.
Pasi janë siguruar prova ligjore në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të një pallati 7 katësh ende të papërfunduar por edhe disa shtesa pa leje, në disa pallate në ndërtim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendimin Nr.21, datë 24.02.2022, ka vendosur për këta dy shtetas, masat e sigurisë në mungesë ‘Arrest në burg’, per veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’,
Të dy këta shtetas dyshohet se me veprimet/mosveprimet e tyre kanë lejuar ndërtimet pa leje në zona të ndryshme në qytetin e Sarandës, në bashkëpunim me Kryeinspektoren e IMT R. P., e arrestuar me datë 21.02.2022, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’,
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në më të fundit njoftim policor. /sarandacity.al/