Janë bërë të zakonshme tashmë lajmet me fermerë të mllefosur që i tregojnë opinionit se si prodhimi i tyre, sipas një shprehjeje të rëndomtë të përdorimit të përditshëm, “shkon për lesh”. Dhe në të tilla raste ata fajësojnë shtetin, për përkrahjen e pakët që u jep, si kur ja nisin mbjelljen e si kur dështojnë më pas. Po vërtet kush e ka fajin?
Dhimo Kote nuk ndodh të qahet ndonjëherë. Njeriu që i ka dhuruar këtij vendi ndoshta gjënë më të bukur nën tranzicion, për më tepër një model se si mund të bëhej Shqipëria vetëm me mend e mund, sigurisht dhe me dashuri, plantacionet fantastike të mandarinave në Xarë, skajin më jugor të vendit, nuk e posedon moralin e mbrapshtë të adresimit të fajita te tjetri.
Në konceptin e tij, njeriu, i zoti i punës është përgjegjës për atë që bën, dhe natyrisht kur e bën dhe keq. Dhe e thotë këtë njeriu që prej afro 15 vitesh nuk i mbetet asnjë kokër mandarinë pa shitur. Madje e ka të garantuar tregun edhe për 20 vite te tjera. “Xara prodhon aktualisht 18 mijë ton mandarina. Dhe vetëm tregu shqiptar dhe ai i Kosovës kanë nevojë për 30 mijë ton, pa llogaritur tregun e huaj”, të bën një llogari Kote. Po pse pra nuk i ka mbetur dhe nuk i mbetet kurrë prodhimi pa shitur? Sepse siç thotë, di t’i përgjigjet tregut për atë që ai kërkon dhe madje me shumë cilësi.
Kur i themi se një fermer në Kavajë ka mbjellë hektarë të tërë me pjeshkë, e, nga mosshitja ka vendosur t’i zëvëndësojë pjeshkët me fasule, qesh dhe më pas të thotë: “Shumë mirë do bënte. Fasulen e kërkon tregu dhe jo pjeshkët, të cilat vijnë me shumicë nga Italia”.
Pra, e para dhe më kryesorja gjë kur vendos të mbjellësh një kulturë, është t’i përgjigjesh kërkesave të tregut. A ka përgjegjësi shteti në këtë rast? Ka dhe ai pjesën e vet, pasi specialistë bujqësie duhet të jenë më afër fermerit për orientim, këshilla, sugjerime. Ai vetë është i gatshëm t’i japë kujtdo, mjaft t’i qasen sipas nevojave.
Sa për shalqinin, atë që ndokujt po i kalbet në fushë, e që akuzohet se e ka shartuar me kungull – me logjikën “që mirë t’i bëhet” – Dhimo Kote fajëson mediat që pa njohjet e duhura të fushës, servirin lajme spekulative.
“Që shalqini të shartohet me kungull është mëse normale. Shartohet sepse është e pamundur të mbillet dy herë në të njëjtin vend, pa u zënë nga një sëmundje deri më tani e pashërrueshme. Ndaj dhe shartohet. Shalqin fare-fare të pastër, nuk mundet të mbjellësh vetëm për konsum familjar. Ndërsa sa për tregëtim, është e pamundur”, sqaron ai.
Ndërsa fajin për mbetjen pa shitur, e si pasojë kalbjen në fushë, nuk e ka shartimi me kungull, por koha e nxjerrjes në treg. Nëse e nxjerr më herët, para se të vijë nga importi, e fitove davanë.
Babai i mandarinave është i qetë në këtë aspekt. Ai ka arritur ta sfidojë dhe tregun e fqinjit, Igumenicën greke, duke ia dhënë hakun punës në përllogaritjen e gjithçkaje. Tek e fundit, si shumë fusha, edhe bujqësia do mjeshtërinë e vet.
Ndaj dhe ai nuk pajtohet me adresimin e fajit tek shteti, nga ata fermerë që iu mbetet prodhimi pa shitur. Thjesht duhet të shohin se ku iu ka çaluar puna, ku kryesorja mbetet nuhatja e tregut, t’i përgjigjesh atij me atë që do, duke mos ia lënë rastësisë suksesin e shitjes, dhe mbi të gjitha duke nxjerrë produkt cilësor.